OGU
Mbreti i fuqishëm amorit i Bashanit (1Mb 4:19), të cilin izraelitët e mundën para se të hynin në Tokën e Premtuar. Ogu ishte një nga refaimët gjigantë. Në fakt, vigu i tij i stërmadh prej hekuri (mbase një sarkofag prej bazalti të zi) kishte përmasa 4 me 1,8 m. (Lp 3:11, shën., NW) Ai dhe Sihoni sundonin mbi amoritët në lindje të Jordanit. (Lp 3:13; 4:46, 47) Mbretëria e Ogut shtrihej nga mali i Hermonit deri në Jabok, në viset në lindje të Jordanit, ku përfshiheshin 60 qytete të fortifikuara dhe shumë fshatra. (Lp 3:3-5, 8-10; Js 12:4, 5; krahaso Nu 21:23, 24.) Dy qytetet kryesore ishin Edrei dhe Ashtaroti.—Lp 1:4; Js 13:12.
Izraelitët e mundën Ogun në betejë nga fundi i periudhës 40-vjeçare që endeshin nëpër shkretëtirë, pak para se të fushonin në rrafshinat e Moabit. Pasi kishin shpartalluar Sihonin, ata u ndeshën në Edrei me ushtrinë e Ogut dhe, falë ndihmës së Perëndisë, arritën fitore të thellë. E shfarosën Ogun me krejt ushtrinë e tij dhe shtinë në dorë qytetet e fshatrat e tij. (Nu 21:33–22:1; Lp 3:1-13) Territori i Ogut u bë pjesë e trashëgimisë së Manaseut. (Nu 32:33; Lp 3:13; Js 13:29-31) Fitorja e izraelitëve u kalli frikën banorëve të Kanaanit dhe ishte një nga arsyet pse Rahaba e gibeonitët kërkuan të bënin paqe me Izraelin, që të mos shfaroseshin edhe ata. (Js 2:10, 11; 9:9, 10) Ajo fitore i dha shumë zemër Izraelit dhe kujtohej edhe shekuj të tërë më pas.—Lp 31:4; Ne 9:22; Ps 135:10-12; 136:17-22.