ANAHU
Biri i Zibeonit dhe babai i Oholibamës, gruas së Esaut. (Zn 36:2, 14, 18, 20, 24, 25; 1Kr 1:34, 40, 41) Te Zanafilla 36:2 teksti në hebraisht thotë: «Oholibama, e bija e Anahut, e bija e Zibeonit.» Në këtë varg, Peshita siriake, Pentateuku samaritan dhe Septuaginta greke thonë «biri i Zibeonit», që përkon me Zanafillën 36:24, ku tregohet se Anahu ishte biri i Zibeonit. Disa versione moderne ndjekin këtë përkthim dhe e vendosin shprehjen «biri i Zibeonit» edhe në vargun 2, edhe në vargun 14. (RS, AT, JB; shih edhe DSF.) Megjithatë, fjala në hebraisht që përkthehet «bijë» në këtë fragment mund të përfshijë edhe kuptimin e mbesës, prandaj mund t’i referohet Oholibamës dhe jo Anahut. Ja pse në Përkthimin Bota e Re, te Zanafilla 36:2 thuhet: «Oholibamën, bijën e Anahut, mbesën e hivitit Zibeon.»
Disa janë të mendimit se Anah është emri i dy personave të ndryshëm, pasi në vargun 2 thuhet se Anahu ishte ‘hivit’, kurse në vargjet 20 dhe 29 ai quhet ‘horit’. Mirëpo, nëse ‘horit’ do të thotë thjesht «banor shpelle», ky term mund të përdoret për të përshkruar zakonet e seiritëve që banonin nëpër shpella, dhe jo për të përcaktuar gjenealogjinë. Pra, duket se fjala «bijtë» në vargun 20 ka kuptimin më të përgjithshëm të pasardhësve. Enciklopedia e Meklintokut dhe Strongut thotë: «Është e qartë se qëllimi i gjenealogjisë nuk është edhe aq të japë prejardhjen e seiritëve, sesa të përmendë me radhë pasardhësit që, si krerë fisesh, patën lidhje me edomitët. Për pasojë, do të dukej sikur Anahu, nga erdhi gruaja e Esaut, ishte kreu i një fisi të shkëputur nga ai i babait të tij dhe i të njëjtit rang.»—Cyclopædia, 1882, vëll. I, f. 212.