ARABAHU
[rrafshinë e shkretë].
Lugina tektonike (Rift) ose pjesa e ultësirës së jashtëzakonshme që shtrihet nga shpatet e malit të Hermonit drejt jugut, që përfshin detin e Galilesë dhe lumin Jordan, zbret goxha nën nivelin e detit për të krijuar pellgun e Detit të Vdekur, e pastaj vazhdon drejt jugut deri në gjirin e ʽAkabës në Detin e Kuq.—Lp 3:17; Js 3:16; 11:16; Jr 52:7.
Kjo luginë e gjatë dhe e ngushtë që shtrihet nga veriu në jug, shpesh e thatë dhe me qytete të pakta nëpër të, kufizohet nga të dyja anët me vargje të gjata malesh. Ka një gjerësi që shkon nga më pak se 1 km deri në 16 km, gjatësi prej 435 km dhe është formuar nga një fundosje tektonike ose një çarje e gjatë në koren e tokës. Jordani gjarpëron përmes pjesës veriore të kësaj lugine të drejtë dhe ujërat e tij të pashtershëm krijojnë një brez të gjelbër deri në qendër të luginës. Megjithatë, në jug të Detit të Vdekur, Arabahun e lagin vetëm përrenj stinorë që nuk mjaftojnë për ta bërë pjellor truallin e thatë.
Ndonëse disa studiues mendojnë se fjala «Arabah» tregon vetëm atë pjesë të luginës së madhe tektonike që shtrihet në jug të Detit të Vdekur, ajo përfshin edhe rajonin verior, të paktën deri në detin e Galilesë ose të Kineretit. (Js 12:3; 2Sa 2:29) Ajo pjesë e luginës që është në veri të Detit të Vdekur quhet sot Gor, që do të thotë «ultësirë», kurse fjala «Arabah» i referohet sidomos rajonit jugor që është shumë më i thatë.
Deti i Vdekur quhet ‘deti i Arabahut’. (Lp 3:17; 4:49; 2Mb 14:25) Pa nyjën shquese, fjala ʽaraváh ka edhe një kuptim të gjerë dhe mund të përkthehet «rrafshinë e shkretë». Në shumës (ʽaravóhth) ajo përdoret shpesh për rrafshinat e shkreta të Jerikosë dhe të Moabit, pra për atë pjesë të luginës së Jordanit që është tamam në veri të Detit të Vdekur.—Nu 22:1; 26:3, 63; 31:12; Js 4:13; 5:10; Jr 39:5.