PALESTINA
Vendi në skajin lindor të Mesdheut, ku dikur banonte populli i lashtë i Izraelit. Emri vjen nga fjala latine Palaestina dhe ajo greke Palaistíne. Kjo e fundit vjen nga hebraishtja, Pelésheth. Në Shkrimet Hebraike, fjala Pelésheth (e përkthyer «Filistia») përdoret vetëm për territorin e kufizuar bregdetar ku banonin filistinët. (Da 15:14; Ps 60:8; 83:7; 87:4; 108:9; Is 14:29, 31; Jo 3:4) Mirëpo Herodoti, në shekullin e 5-të p.e.s., e më vonë edhe shkrimtarë të tjerë jobiblikë (Filoja, Ovidi, Plini, Jozefi, Jeronimi) i përdorën këta terma grekë e latinë për mbarë territorin e njohur dikur si ‘vendi i Kanaanit’ ose ‘vendi i Izraelit’. (Nu 34:2; 1Sa 13:19) Jehovai ua kishte premtuar atë vend Abrahamit e pasardhësve të tij (Zn 15:18; Lp 9:27, 28), ndaj me të drejtë u quajt edhe Toka e Premtuar ose Toka e Premtimit. (He 11:9) Që nga mesjeta është quajtur shpesh Toka e Shenjtë.
Në njëfarë mënyre, Palestina lidh kontinentet e Evropës, Azisë dhe Afrikës. Kështu, ishte në qendër të një rrethi përqark të cilit ndodheshin fuqitë e lashta botërore: Egjipti, Asiria, Babilonia, Persia, Greqia dhe Roma. (Ezk 5:5) E kufizuar në lindje e në jug nga shkretëtira të paana dhe në perëndim nga Deti i Madh, ose Mesdheu, Palestina shërbente si urë mes lumenjve Nil dhe Eufrat, urë ku kalonin karvanët që përshkonin rrugët tregtare ndërkombëtare. Ajo ndodhej në Gjysmëhënën Pjellore dhe zgjonte mjaft interes, ngaqë ishte vend i bukur, plot pasuri natyrore e karakteristika të veçanta.
Sot termi «Palestinë» tregon një rajon pa kufij të përcaktuar qartë. Në jug mund të hiqej një vijë imagjinare nga skaji jugor i Detit të Vdekur deri në cepin juglindor të Mesdheut, kurse në veri një vijë tjetër nga shpatet jugore të malit të Hermonit deri në një pikë afër qytetit të Tirit. Kjo zonë, nga veriu në jug, «nga Dani në Beer-Shebë» (1Sa 3:20; 2Sa 3:10), ishte rreth 240 km e gjatë. Palestina shtrihej nga deti Mesdhe në perëndim gjer në shkretëtirën e Arabisë në lindje. Gjithsej, sipërfaqja shkonte në rreth 25.500 km2, pra pak më e vogël se Shqipëria ose thuajse sa Maqedonia e sotme.
Veçoritë gjeografike. (HARTA, vëll. 1, f. 333 në botimin anglisht) Që të krijohet një ide për gjeografinë e saj, territori i Palestinës, nga veriu në jug, mund të ndahet kollaj në katër rajone thuajse paralele.
I pari ishte një rrip i rrafshinës pjellore përgjatë bregdetit që, në përgjithësi, kishte fare pak limane natyrore. Skaji i vargmalit hijerëndë të Karmelit, që zgjatej gati gjer në det, e ndante më dysh këtë rrafshinë bregdetare. Pjesa veriore njihej si rrafshina e Asherit ose tokë fenikase. Pjesa jugore shtrihej anash dunave të rërës buzë detit dhe përbëhej nga rrafshina e Sharonit dhe nga rrafshina e Filistisë, që zgjerohej në jug.
Rajoni i dytë gjeografik, ngjitur me rrafshinat bregdetare, përbëhej nga vargmalet qendrore që shtriheshin nga veriu në jug si shtylla kurrizore e vendit. Në veri ndodheshin malet e Neftalit, të quajtura edhe kodrat e Galilesë. Ato ishin zgjatim i vargmaleve të Libanit, të njohura për pyjet e cedrave dhe për malin e spikatur të Hermonit që shponte qiellin, 2.814 m i lartë. Lartësia e maleve veriore të Palestinës varionte nga 1.208 m në Har-Meron, në Galilenë e Sipërme, në 562 m në malin e Taborit, që mori famë në ditët e Barakut. (Gjy 4:12) Poshtë Taborit shtrihej një pllajë qendrore relativisht e gjerë, që e priste vendin mes për mes nga perëndimi në lindje, duke ndarë malet veriore nga ato jugore. Kjo luginë, ku u zhvilluan mjaft beteja vendimtare, përbëhej nga dy pjesë: ‘ultësira e Jezreelit’ në lindje dhe ‘lugina e Megidos’ në perëndim.—Js 17:16; 2Kr 35:22.
Në perëndim dhe në veri të luginës së Megidos, ku rridhte Kishoni, ndodhej vargmali i Karmelit. Ai shtrihej nga bregdeti drejt juglindjes dhe bashkohej me malet e Efraimit, ose Samarisë, ku gjendeshin mali historik i Gerizimit dhe ai i Ebalit, ky i fundit mbi 900 m i lartë. (Lp 11:29) Më në jug ky vargmal njihej si ‘rajoni malor i Judës’, sepse, ndonëse lartësia shkonte nga 600 m në mbi 1.000 m, zona përbëhej kryesisht nga rrafshnalta, kodra të valëzuara dhe shpate të buta. (2Kr 27:4; Lu 1:39) Në atë rajon kishte qytete, si Jerusalemi, Betlehemi dhe Hebroni.
Në jug, malet e Judës avash-avash ia linin vendin Negebit, emër që mendohet se rrjedh nga rrënja e fjalës që do të thotë «është i tharë». Ky rajon shtrihej deri në luginën e përroit të Egjiptit dhe përbënte pjesën jugore të Palestinës. Në cepin verior të Negebit ndodhej qyteti-oazë i Beer-Shebës, ndërsa në skajin jugor Kadesh-Barnea.—Zn 12:9; 20:1; 22:19.
Kur u afrohesh maleve të Judës nga perëndimi, të del para rajoni kodrinor i quajtur Shefelah, me një sërë luginash të vogla që ngjiten në drejtimin perëndim-lindje nga rrafshinat bregdetare për në malësi. (Js 9:1) Në përgjithësi, në ato kodra gjeje kullota të mira për grigjat e gjedhët, dhe krojet në lugina siguronin ujin e nevojshëm.
Veçoria e tretë e gjeografisë së Palestinës ishte Lugina e madhe e Riftit, e quajtur nganjëherë edhe Arabah (Lp 11:30), që e ndan vendin për së gjati nga kreu në fund. Kjo e çarë e thellë zinte fill në Siri në veri dhe shtrihej drejt jugut gjer në gjirin e ʽAkabës në Detin e Kuq. Këtë ultësirë qendrore e bënin edhe më spektakolare shkëmbinjtë dhe vargmalet paralele në dy anët e saj.
Kur përshkon këtë ultësirë në formë hendeku nga veriu në jug, zbret menjëherë nga kodrat rrëzë malit Hermon në basenin Hula, ku burimet e Jordanit dikur formonin një liqen të vogël. Prej atje, në një rrugë rreth 16 km Jordani bie vrik më shumë se 270 m deri në detin e Galilesë, që është afro 210 m nën nivelin e detit. Nga Galilea në Detin e Vdekur, kjo çarje e madhe në koren e tokës përbën pjesën kryesore të luginës së Jordanit, që arabët e quajnë Gor, domethënë «ultësirë». Është një «grykë» që, në disa pjesë, bëhet deri në 19 km e gjerë. Jordani vetë gjendet rreth 45 m nën nivelin e kësaj lugine; teksa gjarpëron dhe zbret në Detin e Vdekur, bie edhe rreth 180 m të tjera. (FIGURA, vëll. 1, f. 334 në botimin anglisht) Kjo do të thotë se sipërfaqja e Detit të Vdekur, afro 400 m nën nivelin e Mesdheut, është pika më e ulët në sipërfaqen e tokës.
Pjesa e Luginës së Riftit në jug të Detit të Vdekur, që vazhdon edhe 160 km deri në gjirin e ʽAkabës, njihej gjerësisht si Arabahu. (Lp 2:8) Diku në mes të rrugës arrinte pikën më të lartë, rreth 200 m mbi nivelin e detit.
Rajoni i katërt gjeografik i Palestinës përbëhej nga kodrat dhe rrafshnaltat në lindje të ultësirës së madhe të Jordanit. (Lp 2:36, 37; 3:8-10) Në veri, kjo tokë buke ka të ngjarë të shtrihej 100 km në lindje të detit të Galilesë, kurse në jug ishte vetëm rreth 40 km e gjerë, e pastaj ia linte vendin një toke të shkretë, stepave të thata që humbnin mes shkretëtirës së Arabisë. Pjesa më e gjerë veriore e këtij rajoni lindor të valëzuar, sipër Ramot-Galaadit, quhej Bashan. Ajo kishte një lartësi mesatare 600 m, kurse në jug të saj, rajoni i Galaadit në formë kubeje arrinte lartësinë prej 1000 m. Galaadi kufizohej në jug me rrafshnaltën në veri të luginës së përroit të Arnonit, ku gjendej mali Nebo, mbi 800 m i lartë. Ky territor, dikur pronë e amonitëve, kufizohej me Moabin në jug të luginës së përroit të Arnonit.—Js 13:24, 25; Gjy 11:12-28.
Emrat gjeografikë. Emrat e lashtë hebraikë të mjaft qyteteve, maleve dhe luginave kanë humbur, pjesërisht ngaqë prej vitit 638 të e.s. Palestina ishte shumicën e kohës nën pushtimin arab. Por, meqë arabishtja është gjuha e gjallë më e afërt me hebraishten, ka mundësi të identifikohen me goxha saktësi disa vende të lashta ku ndodhën ngjarje të rëndësishme.
Në faqen tjetër jepen disa terma gjeografikë mjaft të përdorur në arabisht dhe hebraisht, që ndihmojnë të përcaktohet ku gjendeshin shumë vende biblike.
Kushtet klimatike. Klima e Palestinës është po aq e larmishme sa topografia e saj. Brenda afro 160 km, nga Deti i Vdekur deri në malin Hermon, kontrastet e theksuara në lartësi krijojnë kushte klimatike si ato që tjetërkund i ndesh vetëm po të përshkosh mijëra kilometra nga tropiku deri në Arktik. Zakonisht mali Hermon ka një kësulë të bardhë pjesën më të madhe të vitit, kurse poshtë në brigjet e Detit të Vdekur termometri nganjëherë shënon edhe 50° C. Puhitë detare që ngjiten nga Mesdheu, e zbutin temperaturën përgjatë vargmalit qendror. Për pasojë, në Jerusalem rrallëherë shkon më tepër se 32°C dhe thuajse asnjëherë nuk bën ngricë. Në janar, temperatura mesatare është rreth 10°C. Në atë zonë, bora është gjë e rrallë.—Krahaso 2Sa 23:20.
Në këtë vend kontrastesh, edhe reshjet nuk bien kudo njësoj. Në bregdet, bien afro 38 cm reshje në vit, por në lartësitë më të mëdha të malit Karmel, vargmali qendror, dhe në malësinë në lindje të Jordanit mund të bjerë dyfishi i kësaj. Nga ana tjetër, në Negeb, në luginën e poshtme të Jordanit dhe në zonën e Detit të Vdekur mbizotëron klima shkretinore, pasi bien vetëm 5-10 cm shi në vit. Shumica e shiut bie në muajt dimërorë të dhjetorit, janarit e shkurtit; vetëm 6 a 7 për qind në muajt e verës, nga qershori deri në tetor. Shirat ‘e parë’ të lehtë, ose shirat e vjeshtës, që bien në tetor dhe nëntor krijojnë mundësi të lërohet toka (e zhuritur nga vapa e verës) duke e përgatitur për mbjelljen e drithërave në dimër. Shirat ‘e fundit’ ose të pranverës vijnë në mars dhe prill.—Lp 11:14; Jo 2:23; Za 10:1; Jk 5:7.
Një nga pasuritë e Palestinës është vesa e bollshme, sidomos gjatë muajve pa shi të verës, sepse pa të, shumë vreshta dhe kullota do të katandiseshin keq. (Ha 1:10; Za 8:12) Pjesa më e madhe e vesës në Palestinë vjen falë erërave të lagështa që ngjiten nga Mesdheu dhe zbresin nga mali Hermon. (Ps 133:3) Vesa natën është aq e bollshme në disa vise, sa bimësia thith gjithë lagështinë e humbur nga vapa e ditës. (Krahaso Jb 29:19.) Vesa ka rëndësi të veçantë në Negeb dhe në lartësitë e Galaadit, ku reshjet janë minimale.—Shih VESA.
Bimët dhe kafshët. Shumëllojshmëria e pafund e pemëve, shkurreve dhe bimëve në atë pjesë aq të vogël të tokës i lë pa fjalë botanistët. Një prej tyre llogarit se atje rriten rreth 2.600 varietete bimësh. Larmia e lartësive, klimës dhe tokës shpjegon shumëllojshmërinë e florës. Disa bimë ndihen rehat në alpet e ftohta, disa në shkretëtirën përvëluese, të tjera në rrafshinën lymore ose në pllajat shkëmbore dhe secila çel lule e lëshon farë në stinën e vet. Në largësi relativisht të vogla nga njëra-tjetra, të sheh syri palma që rriten në klimë të nxehtë dhe lisa e pisha që rriten në klimë të ftohtë, shelgje buzë lumenjve dhe bruka në shkretëtirë. Ky vend është i famshëm edhe për kultivimin e hardhive, ullinjve dhe fiqve e për fushat me grurë, elb dhe mel. Mbillen edhe bizele, bathë, thjerrëza, patëllxhanë, qepë, kastraveca, si edhe pambuk e li. Sot vizitorët shpesh mbeten të zhgënjyer, përveçse në pranverë kur vendi lulëzon e shpërthen në një spektakël lulesh. Pjesën më të madhe të vitit, kodrat gurore janë të zhveshura e të zymta. Mirëpo dikur, disa vise mbuloheshin me pyje më të dendura dhe bimësi të harlisur si «kopshti i Jehovait», vërtet një kopsht botanik ‘ku rridhte qumësht dhe mjaltë’, mikpritës e tërheqës.—Zn 13:10; Da 3:8; Nu 13:23, 24; Lp 8:7-9.
Në Palestinën e bukur si një kopsht gëlonte jeta—kafshët, zogjtë e peshqit ishin më të shumtë se sot. Luani, ariu, demi i egër dhe hipopotami janë zhdukur. Megjithatë, ka ende ujqër, derra të egër, mace të egra, çakej, lepuj dhe dhelpra. Janë të shumta edhe kafshët shtëpiake: dhen, dhi, lopë, kuaj, gomarë e deve. Llogaritet se sot në Izrael ka rreth 85 lloje gjitarësh, 350 lloje zogjsh dhe 75 lloje zvarranikësh.
Pasuritë e nëntokës. Përveçse ishte një vend i ujitur mirë që prodhonte ushqim me bollëk, në malet e Palestinës gjeje minerale të dobishme si hekur dhe bakër. (Lp 8:9) Ari, argjendi, kallaji dhe plumbi importoheshin, por kishte depozita kripe të mëdha dhe, në luginën e Jordanit, shtresa argjile që shërbenin për tulla dhe enë balte e për fonderitë. (1Mb 7:46) Atje nxirrej gur gëlqeror cilësor për ndërtim dhe spikatnin formacione bazalti të errët, i vlerësuar mjaft si material i ngjeshur e rezistent.
[Tabela]
TERMA GJEOGRAFIKË
Arabisht Hebraisht Shqip
‛ain ‛en krua,
[‛enot, sh.] burim
beit bet shtëpi
bik‛ah bik‛a(t) rrafshinë;luginë
[beka‛, sh.]
bir be’er pus
birkeh(et) berekha(t) rezervuar, pellg
burj kullë
darb rrugë, udhë
debbeh(et) lartësi ranore
deir kuvend,
manastir
‛emek ultësirë
gaj, ge luginë
gor ultësirë
giv‛a(t) kodër
[giv‛ot, sh.]
jebel har mal
kafr ĥefar fshat
khirbeh(et) horva(t) rrënojë
ma‛ale e përpjetë
majdel migdal kullë
majan burim
mifraz gji
mughar me‛arah(t) shpellë
nahr lumë
nakb shteg malor
nebi profet
kal‛ah(at) fortesë
karn keren kreshtë
(fjalë për fjalë: bri)
karja(t) kirja(t) qytet
kasr kështjellë, pallat
rameh rama(t) rrafshnaltë
ras rosh majë mali;
kep
rujm rogem pirg gurësh,
tog
shatt breg ose buzë;
lumë
tal‛ah(at) lartësi
tell [tulul, sh.] tel pirg gërmadhash;
bregore
[Diagrami]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
PRERJE TËRTHORE E PALESTINËS
Niveli i detit
Deti i Madh
Rrafshina bregdetare
Shefelahu
M. e Judës
M. e Samarisë
M. e Libanit
Lugina e Jordanit
Rrafshnaltë
M. Hermon
Niveli i detit
Deti i Kripur
Niveli i Detit të Kripur