ARARATI
Emri i një rajoni që gjendet aty ku takohen kufijtë e Turqisë, Iranit e Armenisë, si edhe i një vargmali që ndodhet atje.
Pas Përmbytjes, arka e Noesë u ndal në «një nga malet e Araratit». (Zn 8:4) Gjatë mbretërimit të Hezekisë, bijtë e Senakeribit, Adrameleku dhe Sharezeri, ia mbathën për në «vendin e Araratit» pasi vranë të atin. (2Mb 19:37; Is 37:38) Jeremia paratha se Ararati do të ishte ndër «mbretëritë» që do të ngriheshin kundër Babilonisë në kohën e shkatërrimit të saj, në shekullin e 6-të p.e.s. (Jr 51:27) Në këto shkrime të fundit bëhej fjalë për një vend në veri të Asirisë. Sipas Eusebit, Jeronimit dhe shumicës së shkrimtarëve të tjerë të hershëm «të krishterë», Ararati ishte Armenia, e po kështu përkthehet në Septuagintën greke tek Isaia 37:38 dhe në Vulgatën latine te 2 Mbretërve 19:37. Në mbishkrime të shumta asiriane të epokës së Shalmaneserit I, Ashurnasirpalit II, Shalmaneserit III, Tiglath-Pileserit III dhe Sargonit II që mbretëruan në shekujt e 9-të dhe të 8-të p.e.s., Ararati quhet «Urartu». Në një mbishkrim të Esar-Hadonit, një bir tjetër i Senakeribit dhe pasuesi i tij në fronin e Asirisë, thuhet se ai i mundi në Hanigalbat, në zonën e Armenisë, ushtritë e të vëllezërve që vranë babanë. Në bazë të këtyre mbishkrimeve dhe të faktit që Jeremia e përmend Araratin bashkë me mbretëritë e Minit e të Ashkenazit, duket se vendi i Araratit ndodhej në rajonin malor të liqenit Van, në Armeninë e lashtë, dhe në jug kishte burimet e lumit Tigër, kurse në veri malet Kaukaz.
Emri Ararat përdoret në veçanti për malin më të lartë të këtij rajoni ku, siç tregon tradita, u ndal arka e Noesë. Atje lartohen dy maja konike rreth 11 km larg njëra-tjetrës, që ndahen nga një luginë e thellë. Më e larta prej tyre ngrihet afro 5.165 m mbi nivelin e detit dhe në 900 metrat e sipërm mbulohet nga bora e përhershme. Maja më e ulët, që ndodhet në juglindje, arrin lartësinë 3.914 m mbi nivelin e detit. Ngjitja në majën më të lartë është tejet e vështirë dhe i pari që u ngjit atje ishte Johan Jakob fon Paroti në vitin 1829. Shumë emra vendesh në këtë rajon të sjellin ndër mend tregimin biblik. Vetë malin Ararat turqit e quajnë Aghri Dagh (Mali i Arkës), ndërsa persët e quajnë Koh-i-nuh (Mali i Noesë).—Shih ARKA nr. 1.