ARAUNAHU
Jebusit, pronar i lëmit që bleu mbreti David për t’i ndërtuar një altar Jehovait. Kjo ishte ajo që i kërkoi Perëndia Davidit, me qëllim që të merrte fund plaga e shkaktuar nga numërimi që i bëri Davidi popullit.—2Sa 24:16-25; 1Kr 21:15-28.
Araunahu i ofroi falas mbretit vendin, gjedhët dhe vegla druri për flijimin, por Davidi këmbënguli që të paguante. Tregimi te 2 Samuelit 24:24 thotë se Davidi e bleu lëmin dhe gjedhët për 50 sikla argjendi (110 dollarë). Kurse tregimi te 1 Kronikave 21:25 thotë se Davidi e pagoi vendin 600 sikla ari (rr. 77.000 dollarë). Shkrimtari i Librit të Dytë të Samuelit flet vetëm për blerjen e vendit ku do të ndërtohej altari dhe të gjërave të nevojshme për flijimin në atë rast. Pra, duket se ai përmend vetëm çmimin e blerjes së këtyre gjërave. Kurse shkrimtari i Librit të Parë të Kronikave e ka fjalën për harxhimin e bërë për tempullin që u ndërtua më vonë atje dhe e lidh blerjen me atë ndërtim. (1Kr 22:1-6; 2Kr 3:1) Përderisa gjithë zona e tempullit ishte shumë e madhe, ka mundësi që shuma prej 600 siklash ari të lidhet me blerjen e gjithë këtij trualli dhe jo vetëm me pjesën e vogël ku në fillim Davidi ndërtoi vetëm një altar.
Poshtë Kubesë së Shkëmbit, një xhami që zë një pjesë të vendndodhjes së tempullit të parë, gjendet edhe sot e kësaj dite një shkëmb natyror që mund të përkojë me lëmin e dikurshëm të Araunahut.
Në tregimin e Kronikave Araunahu quhet Ornan.—1Kr 21:18-28; 2Kr 3:1.