ARGOBI
[plis dheu].
1. Ndoshta një nga burrat që u vranë bashkë me Pekahiahun, mbretin e Izraelit, rreth vitit 778 p.e.s., nga uzurpatori Pekah, të cilin e ndihmuan të kryente atë krim 50 galaditë.—2Mb 15:23-25.
2. Rajon i Bashanit që izraelitët e pushtuan ndërsa ishin ende në lindje të Jordanit dhe që u bë pjesë e territorit të fisit të Manaseut. Me sa duket, ishte selia e mbretërisë së Ogut dhe përshkruhet si një zonë me 60 qytete të fortifikuara përveç shumë e shumë fshatrave. (Lp 3:4, 5, 13, 14) Ky ishte «vendi i refaimëve» ose i gjigantëve.
Argobi ndodhej në lindje të detit të Galilesë. Mendohet gjerësisht se gjendej në Al Ledja, një zonë e mbuluar me lavë afro 32 km në jug të Damaskut. Mirëpo, përshkrimi në Ligjin e përtërirë si një zonë me fshatra, duket se përkon më tepër me rrafshinën pjellore në perëndim të Al Ledjas, që mbase ndodhej në mes të një rajoni rrethuar nga Nahr-al-Rukadi, Nahr-al-ʽAlani dhe Nahal-Jarmuku. Në këtë pllajë të gjerë, qytetet nuk kishin asnjë mbrojtje natyrore dhe duhet të kenë pasur nevojë për ‘muret e larta’ që përmendin Shkrimet. Anekënd territorit të Bashanit ka rrënoja të qyteteve të tilla mëdha.
Në kohën e Solomonit, Argobi bënte pjesë në një nga 12 krahinat që iu besuan nëpunësve përgjegjës për t’i siguruar ushqim oborrit mbretëror.—1Mb 4:7, 13.