AROERI
[dëllinjë].
1. Qytet buzë grykës që formon luginën e përroit të Arnonit, në anën veriore të saj. Në periudhën e pushtimit nga Izraeli (rr. 1474 p.e.s.) ishte qyteti më jugor i mbretërisë amorite. (Lp 2:36; 4:47, 48; Js 12:2) Pastaj iu dha fisit të Rubenit, ndonëse Shkrimet tregojnë se qytetin e ndërtoi (ndoshta e meremetoi) fisi i Gadit. (Nu 32:33, 34; Lp 3:12; Js 13:8, 9, 15, 16; 1Kr 5:8) Shënonte kufirin jugor të Izraelit në lindje të Jordanit, e kështu përkonte me Beer-Shebën, qytet i rëndësishëm jugor në perëndim të Jordanit.
Pasi Izraeli banoi atje për afro 300 vjet, amonitët pretenduan se u takonte rajoni mes Arnonit dhe Jabokut, por gjykatësi Jefte e hodhi poshtë kërkesën e tyre, duke treguar se Izraeli ia kishte marrë amoritëve atë territor, ku përfshihej edhe Aroeri.—Gjy 11:13, 22, 26.
Duket se Aroeri ishte qyteti prej nga nisi regjistrimi që urdhëroi mbreti David, që vazhdoi drejt Dan-Jaanit në veri, pastaj drejt Tirit e Sidonit dhe, duke shkuar drejt jugut, mbaroi në Beer-Shebë, në Negeb. (2Sa 24:4-8) Referimi për ‘qytetin që ndodhet në mes të luginës së përroit’ ngjason me ato te Ligji i përtërirë 2:36 dhe te Josiu 13:9, 16. Sipas disave, ky qytet i paemër gjendej në Kirbet-el-Medejineh, afro 11 km në juglindje të Aroerit.
Gjatë sundimit të Jehut, mbretit të Izraelit (rr. 904-877 p.e.s.), Hazaeli, mbreti i Sirisë, shtiu në dorë territoret e Gadit dhe të Rubenit, duke shkuar në jug deri në Aroer buzë Arnonit. (2Mb 10:33) Mbase gjatë asaj periudhe, mbreti moabit Mesha fortifikoi qytetin dhe ndërtoi rrugën përgjatë Arnonit, siç thuhet në rreshtin e 26-të të Gurit të Moabit. Në kohën kur Jeremia profetizoi kundër Moabit, qyteti ishte nën sundimin moabit.—Jr 48:19.
Mendohet se qyteti i lashtë ndodhej në Kirbet-ʽAraʽir, rreth 23 km në lindje të Detit të Vdekur, rreth 6 km në juglindje të Dibonit dhe afër Rrugës së Mbretit, udhës kryesore veri-jug në atë krah të Jordanit. Në rrënojat e qytetit ka mbetje të një fortese të lashtë që, nga pika e saj e vrojtimit buzë grykës mbresëlënëse, mund të mbikëqyrte pikat e kalimit të Arnonit.
2. Qytet në territorin e Gadit, «përballë Rabahut» (Amanit të sotëm), qytetit kryesor të amonitëve. (Js 13:24, 25) Mbase është Aroeri i përmendur te Gjykatësit 11:33 ku përshkruhet fitorja e Jefteut mbi amonitët. Vendndodhja nuk dihet me siguri, pasi fjala «përballë» nuk është shumë specifike, ndonëse shpesh mendohet se do të thotë «në lindje të».
3. Qytet në viset jugore të territorit të Judës. Pas fitores mbi kusarët amalekitë, Davidi ia shpërndau një pjesë të plaçkës pleqve të qytetit. (1Sa 30:26, 28) Mendohet se ndodhej në Kirbet-ʽArʽarah (Horvat-ʽAroʽer), rreth 17 km në juglindje të Beer-Shebës, ku kanë mbetur rrënojat e një fortese. Sipas disa studiuesve, mund të jetë vendi i quajtur ‘Adadah’ te Josiu 15:22, pasi të dyja germat hebraike dáleth (ד) mund të jenë zëvendësuar me germën resh (ר).
Shprehja ‘qytetet e Aroerit’ tek Isaia 17:2 mund të lidhet me çdonjërin nga dy qytetet e para të shqyrtuara më sipër. Profecia i drejtohet kryesisht Damaskut dhe, duke marrë parasysh se sirianët e pushtuan Izraelin gjer në Aroer buzë Arnonit, kjo shprehje mund të tregojë pikën më jugore të pushtimeve të tyre në lindje të Jordanit.—2Mb 10:33.