ASHANI
[ndoshta: tym].
Qytet në Shefelah, pra në ultësirën e Judës. Fillimisht iu caktua Judës, por më pas iu dha Simeonit, meqë territori i Judës ishte tepër i madh. (Js 15:42; 19:7, 9; 1Kr 4:32) Pas tyre i kaloi familjes së kehathitëve nga fisi i Levit. (1Kr 6:54, 59) Te 1 Samuelit 30:30 përmendet ‘Borashani’ si një nga qytetet e zonës që Davidi i dërgoi një pjesë të plaçkës pas fitores mbi amalekitët e, sipas disave, ky qytet ishte Ashani. Te Josiu 21:16 gjendet lista e qyteteve që iu dhanë kehathitëve, paralele me atë te 1 Kronikave 6:59, por në listën e Josiut thuhet ‘Ain’ në vend të Ashan. Në një koment për këtë varg, shtrohet hipoteza se emri i plotë i qytetit mund të ketë qenë Ain-Ashan.—Soncino Books of the Bible, Londër, 1950.
Shumë studiues e lidhin Ashanin me Kirbet-ʽAsanin, që ndodhet rreth 2,5 km në veriperëndim të Beer-Shebës së sotme, buzë Nahal-ʽAshanit. Johanan Aharoni hedh idenë se Ashani ndodhej në Tel-Bet-Mirsham, 25 km në veri-verilindje të Beer-Shebës.