AZEKAHU
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «gërmoj» (d.m.th., punoj me shat)].
Qytet në rajonin e Shefelahut, që vigjilon mbi pjesën e sipërme e luginës së Elahut. Mendohet se ndodhej në Tell-Zakarijeh (Tel-ʽAzeka), rreth 26 km në veriperëndim të Hebronit.
Ky qytet përmendet për herë të parë te Josiu 10:5-11, kur flitet për sulmin e përbashkët të pesë mbretërve kananitë kundër Gibeonit. Josiu dhe ushtria e tij, që i vajtën në ndihmë Gibeonit, i ndoqën ushtritë kananite «deri në Azekah e Makedah», pra për rreth 30 km. Më vonë qyteti iu caktua fisit të Judës.—Js 15:20, 35.
Gjatë mbretërimit të Saulit (1117-1078 p.e.s.), filistinët mblodhën forcat ushtarake mes Sokohut dhe Azekahut, duke nxjerrë para si kampion Goliadin. Si mbërritën izraelitët, dy ushtritë u vunë ballë për ballë në dy anët e luginës së Elahut, derisa fitorja e papritur e Davidit kundër Goliadit bëri që filistinët t’ia mbathnin.—1Sa 17:1-53.
Kur kombi u nda pas vdekjes së Solomonit (rr. 998 p.e.s.), Rehoboami, mbreti i Judës, fortifikoi Azekahun me gjithë Lakishin e qytete të tjera strategjike. (2Kr 11:5-10) Nga gërmimet në Tell-Zakarijeh kanë dalë në dritë rrënoja muresh e kullash, si edhe dëshmi se në pikën më të lartë ndodhej një citadelë.
Kur trupat babilonase të Nabukodonosorit zaptuan mbretërinë e Judës (609-607 p.e.s.), Azekahu dhe Lakishi ishin dy qytetet e fundit të fortifikuara që ranë para se të pushtohej Jerusalemi. (Jr 34:6, 7) Me sa duket, kjo u vërtetua edhe nga zbulimi i ostrakave me mbishkrime që quhen Letrat e Lakishit. Njëra prej tyre, që duket se përmbante një mesazh drejtuar komandantit ushtarak të Lakishit nga një postë ushtarake, thotë pjesërisht: «Po vigjilojmë për të parë sinjalet nga Lakishi, sipas gjithë udhëzimeve që ka dhënë zotëria im, sepse Azekahun nuk arrijmë ta shohim.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 322) Në rast se letra u shkrua në kohën e mësymjes babilonase, siç ka shumë të ngjarë, ajo tregonte se Azekahu tanimë kishte rënë, prandaj nuk vinin sinjale nga ai qytet i fortifikuar.
Pas shkretimit 70-vjeçar të vendit, Azekahu ishte ndër qytetet që i ripopulluan judenjtë e kthyer nga mërgimi.—Ne 11:25, 30.