LAKISHI
Qytet në territorin e Judës, në Shefelah. (Js 15:21, 33, 39) Mendohet se Lakishi ndodhej në Tell-ed-Duveir (Tel-Lahish), një kodrinë që rrethohet nga lugina dhe është afro 24 km në perëndim të Hebronit. Në kohët e lashta, ky vend kishte një pozitë strategjike në rrugën kryesore që lidhte Jerusalemin me Egjiptin. Dikur qyteti zinte një sipërfaqe rreth 8 ha dhe ndoshta kishte një popullsi prej 6.000-7.500 banorë.
Gjatë pushtimit të Kanaanit nga Izraeli, mbreti i Lakishit, Jafia, hyri në aleancë me katër mbretër të tjerë për të mësyrë Gibeonin, një qytet që kishte bërë paqe me Josiun. (Js 10:1-5) Në përgjigje të thirrjes së Gibeonit për ndihmë, ushtria izraelite marshoi tërë natën që nga Gilgali. Falë ndihmës së Jehovait, izraelitët e shpartalluan aleancën kananite, i zunë në grackë mbretërit brenda një shpelle dhe pastaj i ekzekutuan. (Js 10:6-27; 12:11) Pas kësaj, qyteti i Lakishit u mor në më pak se dy ditë luftime dhe banorët e tij u shfarosën. Edhe Horami, mbreti i Gezerit, që i vajti në ndihmë Lakishit, pësoi disfatë.—Js 10:31-35.
Disa arkeologë e lidhin fushatën ushtarake të Izraelit kundër Lakishit me një shtresë të trashë hiri që doli nga gërmimet në Tell-ed-Duveir, ku veç të tjerash, u gjet shëmbëlltyra e një brumbulli që e mbante Ramsesi. Megjithatë, Bibla nuk tregon se qyteti u dogj, siç thotë në rastin e Jerikosë (Js 6:24, 25), të Ait (Js 8:28) dhe të Hazorit (Js 11:11). Përkundrazi, Josiu 11:13 tregon se izraelitët rrallë i digjnin «qytetet që ishin mbi kodrinat e tyre». Pra, nuk ka asnjë bazë biblike që ta lidhë shkatërrimin nga i cili u formua shtresa e hirit me epokën e Josiut dhe për të përcaktuar në bazë të kësaj kohën e pushtimit të Kanaanit nga Izraeli. Vlen të përmendet edhe se nuk dihet me saktësi cilit Ramses i përkiste shëmbëlltyra e brumbullit. Të paktën një arkeolog mendon se i përkiste Ramsesit III dhe ka hedhur idenë se Lakishin e shkatërruan filistinët në shekullin e 12-të p.e.s.
Gjatë mbretërimit të Rehoboamit (997-981 p.e.s.) Lakishi u forcua nga ana ushtarake. (2Kr 11:5-12) Kohë më vonë, rreth vitit 830 p.e.s., mbreti Amaziah ia mbathi në Lakish që t’u shpëtonte komplotistëve, por e ndoqën deri atje dhe e vranë.—2Mb 14:19; 2Kr 25:27.
Rrethohet nga Senakeribi. Në vitin 732 p.e.s., Lakishin e rrethoi mbreti asirian Senakerib. Prej andej, ai dërgoi në Jerusalem rabshakehun, tartanin dhe rabsarin me forca të mëdha ushtarake, që ta shtynte mbretin Hezekia të kapitullonte. Me anë të zëdhënësit të tij kryesor, rabshakehut, Senakeribi me paturpësi sfidoi Jehovain. Më pas dërgoi në Jerusalem lajmëtarë që çonin letra në të cilat vazhdonin talljet e kërcënimet, me synimin që ta bënte Hezekinë të dorëzohej. Në fund, meqë sfidoi Perëndinë Jehova, engjëlli i Perëndisë shfarosi brenda një nate 185.000 luftëtarë asirianë.—2Mb 18:14, 17-35; 19:8-13, 32-35; Is 36:1-20; 37:8-13, 33-36.
Në pallatin e Senakeribit në Ninevi paraqitet rrethimi i Lakishit, ku tregohet se qyteti kishte përqark një mur të dyfishtë me kulla në distanca të barabarta nga njëra-tjetra dhe në zonën kodrinore përreth lulëzonin palmat, vreshtat e fiqtë. Skena ku paraqitet Senakeribi ndërsa merr plaçkën e Lakishit, ka këtë mbishkrim: «Senakeribi, mbret i botës, mbret i Asirisë, u ul në një fron- nimedu dhe shqyrtoi prenë (e marrë) nga Lakishi (La-ki-su).»—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 288.
Pushtohet nga babilonasit. Kur babilonasit me Nabukodonosorin në krye zaptuan Judën (609-607 p.e.s.), dy qytetet e fundit të fortifikuara që ranë para pushtimit të Jerusalemit ishin Lakishi dhe Azekahu. (Jr 34:6, 7) Ato që njihen si Letrat e Lakishit (të shkruara në copëza enësh balte, 18 prej të cilave u gjetën në Tell-ed-Duveir më 1935 dhe 3 të tjera më 1938) duket se i përkasin kësaj periudhe. Një nga këto letra, që me sa duket i drejtohej komandantit të Lakishit nga një postë ushtarake, thotë pjesërisht: «Po vigjilojmë për të parë sinjalet nga Lakishi, sipas gjithë udhëzimeve që ka dhënë zotëria im, sepse Azekahun nuk arrijmë ta shohim.» Ky mesazh lë të kuptohet se Azekahu tanimë ishte pushtuar, prandaj nuk dërgonte asnjë sinjal. Është interesant edhe fakti që thuajse të gjitha Letrat e Lakishit që janë të lexueshme, përmbajnë shprehje, si: «יהוה [Jahvehu ose Jehovai] bëftë që zotëria im të dëgjojë sihariqe brenda ditës së sotme!» (Ostrakoni i Lakishit IV ) Kjo tregon se atëherë emri i Perëndisë përdorej gjerësisht.—Ancient Near Eastern Texts, f. 322.
Pasi Juda dhe Jerusalemi mbetën të shkreta për 70 vjet, Lakishin e ripopulluan judenjtë e kthyer nga mërgimi.—Ne 11:25, 30.
Në profeci. Te Mikea 1:13, Lakishit i drejtohen këto fjalë profetike: «Le t’i mbrehë kuajt në karrocë banorja e Lakishit. Për ty, o bijë e Sionit, ajo ishte fillimi i mëkatit, sepse te ti u gjend rebelimi i Izraelit.» Këto fjalë të bëjnë të përfytyrosh një disfatë dhe me sa duket tregojnë se Lakishi përgatitej t’ia mbathte. ‘Mëkati’ i Lakishit nuk përmendet tjetërkund në Shkrime. Mund të ishte një lloj idhujtarie që zuri fill në Lakish e depërtoi në Jerusalem ose mbase lidhej me besimin e Judës te kuajt e karrocat, që ndoshta i merrnin në Lakish pasi vinin nga Egjipti.