BAAL-MEONI
[formë e shkurtuar e emrit Beth-Baal-Meon].
Qytet i shquar në rrafshnaltën në veri të Moabit që iu caktua fisit të Rubenit, bashkë me Nebon, Kiriataimin dhe qytete të tjera të rajonit. (Nu 32:37, 38; 1Kr 5:8) Rubenitëve u pëlqente ai rajon për kullotat e mira dhe, siç duket, i rindërtuan qytetet dhe u vunë emra të tjerë. Në listën e mëparshme te Numrat 32:3, 4, Baal-Meoni ndoshta paraqitet me emrin «Beon». Më pas, Josiu e quajti Beth-Baal-Meon, që ka shumë të ngjarë të jetë emri i plotë i vendit.—Js 13:17.
Gjatë sundimit të mbretit Mesha të Moabit, nga fundi i shekullit të 10-të p.e.s., Baal-Meonin me sa duket e morën sërish moabitët. Në mbishkrimin e Gurit të Moabit (rreshti 9) thuhet se Mesha «ndërtoi [mbase fortifikoi] Baal-Meonin dhe bëri atje një rezervuar» e pastaj, në rreshtin 30, përdoret emri i plotë Beth-Baal-Meon. Veç kësaj, në një copë qeramike me mbishkrim që u gjet në Samari (ostrakoni 27 i Samarisë) përmendet njëfarë «Baala nga Baal-Meoni».
Në shekullin e 7-të p.e.s., profeti Jeremia i shpalli Moabit një paralajmërim hyjnor, ku parathuhej se vendi do të plaçkitej nga Babilonia dhe përmendeshin me emër disa qytete, mes të cilave Beth-Meoni (ka të ngjarë Baal-Meoni). (Jr 48:20-23) Ezekieli e përfshiu Baal-Meonin ndër qytetet moabite që do të bëheshin pronë e «popujve të Lindjes» (ose «bijve të Lindjes», shën., NW). (Ezk 25:9, 10) Historia jobiblike dhe kërkimet arkeologjike vërtetojnë se këto profeci u plotësuan.—Shih MOABI, MOABITËT nr. 2.
Mendohet se Baal-Meoni ndodhej aty ku janë rrënojat e Maʽinit, që formojnë një pirg goxha të madh, afro 6 km në perëndim-jugperëndim të Medebës dhe 12 km në lindje të Detit të Vdekur. Rrafshnalta ku gjendet Maʽini ngrihet rreth 800 m mbi nivelin e detit.