BAMOT-BAALI
[vende të larta të Baalit].
Qytezë në Moab ku Balaku, mbreti i Moabit, çoi profetin Balaam që të shihte kampin e Izraelit dhe ta mallkonte. (Nu 22:41) Fakti që Balaku zgjodhi atë vend për të thënë mallkimin dhe për të bërë flijimet shoqëruese, mund të tregojë se ishte qendër e adhurimit të Baalit dhe, me sa duket, ndodhej në një pikë të lartë. (Nu 23:1-9) Më pas, Bamot-Baali dhe qyteza të tjera «në rrafshnaltë» iu dhanë si trashëgimi fisit të Rubenit. (Js 13:15, 17) Aty nga fundi i shekullit të 10-të p.e.s., mbreti Mesha i Moabit pohonte se rindërtoi «Beth-Bamotin, sepse ishte shkatërruar». (rreshti 27 i Gurit të Moabit) Ka shumë të ngjarë që Bamoti, Bamot-Baali dhe Beth-Bamoti të ishin që të tre emra të të njëjtit vend.—Krahaso Baal-Meoni, Beoni dhe Beth-Baal-Meoni në artikullin BAAL-MEONI.
Sipas përshkrimit të Biblës, gjendej lart në rrafshnaltë, diku në skajin verilindor të Detit të Vdekur. Një vendndodhje e mundshme është Kirbet-Kuvejija, rreth 14 km në lindje të Detit të Vdekur, afër vendit ku ka të ngjarë të ishte mali i Nebos, por kjo mbetet veç një hamendje.