BALAAMI
[ndoshta: një që gllabëron].
Bir i Beorit që jetoi në shekullin e 15-të p.e.s. Banonte në qytezën aramaite të Pethorit, në luginën e Eufratit të Sipërm, pranë lumit Sajur. Edhe pse nuk ishte izraelit, Balaami kishte njëfarë njohurie për Jehovain dhe e pranonte si Perëndinë e vërtetë, e madje në një rast e quajti «Jehovai, Perëndia im». (Nu 22:5, 18) Kjo ndoshta vinte ngaqë dikur në afërsi të Haranit, jo larg Pethorit, kishin jetuar disa adhurues të devotshëm të Jehovait (Abrahami, Loti dhe Jakobi).—Zn 12:4, 5; 24:10; 28:5; 31:18, 38.
Balaami e hodhi poshtë ofertën e delegacionit të parë të mbretit moabit Balak, që i çoi «pagesën për fallin». Ai u tha: «Jehovai nuk më la të vij me ju.» (Nu 22:5-14) Te Balaami vajtën «princa të tjerë, më të shumtë në numër dhe më të nderuar». (Nu 22:15) Atëherë ai i kërkoi sërish leje Perëndisë që të shkonte, dhe Jehovai tha: «Ngrihu e shko me ta, por thuaj vetëm fjalët që do të të them unë.»—Nu 22:16-21; Mi 6:5.
Engjëlli i Jehovait ia preu rrugën tri herë. Herën e parë gomarica e Balaamit u mundua të kthehej në një arë, pastaj ia ngjeshi këmbën të zotit pas murit dhe në fund u shtri përdhe. Balaami e rrahu tri herë kafshën, që foli pastaj me anë të një mrekullie për të kundërshtuar. (Nu 22:22-30) Më në fund, edhe Balaami e pa engjëllin e Jehovait, i cili njoftoi: «Unë kam dalë të të kundërvihem, sepse je lëshuar si i tërbuar në udhën tënde, që nuk pajtohet me vullnetin tim.» Gjithsesi, edhe një herë Jehovai e la Balaamin të vazhdonte rrugën që kishte zgjedhur.—Nu 22:31-35.
Nga fillimi deri në fund, Perëndia vazhdimisht nuk pranoi asnjë mallkim kundër Izraelit dhe këmbënguli që, nëse Balaami shkonte, duhej të bekonte e jo të mallkonte. (Js 24:9, 10) Megjithatë, e lejoi të shkonte. Ishte si në rastin e Kainit kur Jehovai shprehu mosmiratimin e tij, por njëherazi e lejoi të bënte zgjedhjen e vet: ose të linte udhën e keqe, ose të zhytej në ligësi. (Zn 4:6-8) Pra, ashtu si Kaini, Balaami e shpërfilli me kokëfortësi vullnetin e Jehovait në këtë çështje, i vendosur që të arrinte synimin e vet egoist. Lakmia për të marrë shpërblimin e verboi Balaamin aq sa ndoqi një rrugë të mbrapshtë, siç shkruan Juda: ‘Balaami u turr për një shpërblim në rrugën e gabuar.’ Apostulli Pjetër vëren: ‘Balaami, biri i Beorit, deshi shpërblimin e keqbërjes, por u qortua ngaqë dhunoi atë që ishte e drejtë. Një kafshë barre e pagojë, që u shpreh me zë njeriu, e pengoi çmendurinë e profetit.’—Jd 11; 2Pj 2:15, 16.
Si mbërriti në territorin e Moabit dhe takoi mbretin Balak buzë Arnonit, Balaami nuk humbi kohë, por të nesërmen iu përvesh punës, që t’u shërbente atyre kundërshtarëve të popullit të Jehovait. Tok me Balakun bëri flijime, pastaj iku tutje, me shpresë se do të merrte «një ogur të kobshëm». (Nu 23:3; 24:1) Mirëpo i vetmi mesazh që mori, ishte një bekim nga Jehovai për Izraelin. Të njëjtat flijime u bënë edhe në majë të Pisgahut, por prapë nuk kishte «asnjë fuqi magjike kundër Jakobit», vetëm bekime. Në fund, rituali u përsërit në majë të Peorit dhe sërish, për të tretën herë, «Perëndia . . . e ktheu mallkimin në bekim».—Nu 22:41–24:9; Ne 13:2.
Kur ngjarjet morën atë kthesë, «Balakut iu ndez zemërimi kundër Balaamit», përplasi duart i tërbuar dhe bërtiti: «Unë të thirra që t’i mallkoje armiqtë e mi, kurse ti i bekove sa s’ka ku të vejë plot tri herë. Tani, mbathja në vendin tënd! Kisha thënë me vete që të të nderoja, por ja, për shkak të Jehovait mbete pa nderim.» (Nu 24:10, 11) Balaami u mundua të justifikohej se nuk e mallkoi dot Izraelin për faj të Jehovait, duke thënë se ‘s’mund të bënte asgjë po të mos e urdhëronte Jehovai’ dhe se ‘ç’t’i thoshte Jehovai, atë do të thoshte’. Kështu, pas disa shpalljeve të tjera proverbiale kundër armiqve të Izraelit, «Balaami u ngrit e shkoi diku tjetër».—Nu 24:12-25.
Pohimi «shkoi diku tjetër» ose, siç thonë përkthime të tjera, «ktheu në vend të vet» (DSF) nuk do të thotë detyrimisht se Balaami u kthye në shtëpinë e vet në Pethor. Kjo shprehje në vetvete nuk nënkupton që Balaami shkoi më larg se rrethinat e malit të Peorit. Ja ç’thuhet për Numrat 24:25 në një vepër: «Shkoi diku tjetër . . . Jo në vendin e vet, sepse ai ndenji mes midianitëve që të thurte intriga të reja kundër popullit të Perëndisë dhe të merrte fund në mëkatin e vet. . . . Kjo shprehje që përsëritet shpesh (krahaso p.sh. Zan. xviii. 33, Zan. xxxi. 55; I Sam. xxvi. 25; 2 Sam. xix. 39) është idiomatike dhe do të thotë thjesht se Balaami shkoi atje ku donte.»—Commentary, nga F. Kuku.
Balaami ende ushqente shpresa që ta merrte shpërblimin e majmë për të cilin bëri gjithë atë rrugë dhe u mundua aq shumë. Meqë nuk e mallkonte dot Izraelin, arsyetoi se mbase Perëndia vetë do ta mallkonte popullin e Tij nëse ata josheshin të merrnin pjesë në adhurimin imoral të Baalit të Peorit. Kështu, ‘Balaami e mësoi Balakun të vinte një gur pengese për t’i joshur bijtë e Izraelit, që të hanin gjëra të flijuara idhujve e të kryenin kurvëri’. (Zb 2:14) «Me fjalën e Balaamit», bijat e Moabit dhe të Midianit «u mbushën mendjen bijve të Izraelit të vepronin pabesisht kundër Jehovait në ngjarjen e Peorit, saqë mbi asamblenë e Jehovait erdhi plaga». (Nu 31:16) Si pasojë, 24.000 burra të Izraelit vdiqën për shkak të mëkatit të tyre. (Nu 25:1-9) As Midiani, as Balaami nuk i shpëtuan ndëshkimit të Perëndisë. Jehovai urdhëroi të vriteshin gjithë burrat, gratë dhe djemtë e Midianit; vetëm virgjëreshat u kursyen. «Ata vranë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit.» (Nu 25:16-18; 31:1-18) Kurse moabitëve iu ndalua të ishin pjesë e kongregacionit të Jehovait «deri në brezin e dhjetë».—Lp 23:3-6.