MËSIMI 28
Gomarica e Balamit flet
Izraelitët ishin endur nëpër shkretëtirë për gati 40 vjet dhe kishin mposhtur shumë qytete të forta. Tani e kishin vendosur kampin në rrafshinat e Moabit, në lindje të lumit Jordan, dhe ishte momenti i duhur për të hyrë në Tokën e Premtuar. Balaku, mbreti i Moabit, kishte frikë se ata do të merrnin edhe vendin e tij. Prandaj i kërkoi një burri me emrin Balam të vinte në Moab dhe të mallkonte izraelitët.
Por Jehovai i tha Balamit: ‘Ti nuk duhet t’i mallkosh izraelitët.’ Kështu Balami nuk pranoi të shkonte. Mbreti Balak i kërkoi përsëri të vinte dhe i premtoi se do t’i jepte çdo gjë që dëshironte. Por prapë Balami nuk pranoi. Atëherë Perëndia tha: ‘Mund të shkosh, por thuaj vetëm fjalët që do të të them unë.’
Balami hipi mbi gomaricën e tij dhe u nis drejt jugut për në Moab. Ai kishte ndër mend t’i mallkonte izraelitët, edhe pse Jehovai i kishte thënë të mos e bënte. Engjëlli i Jehovait u shfaq në rrugë tri herë. Balami nuk mund ta shihte engjëllin, por gomarica po. Herën e parë gomarica doli nga rruga dhe hyri në një arë. Herën e dytë u ngjesh pas një muri me gurë, duke ngjeshur kështu edhe këmbën e Balamit. Në fund gomarica u shtri përtokë, në mes të rrugës. Në të tria rastet, Balami e rrahu gomaricën me shkop.
Pas kësaj Jehovai bëri që gomarica të fliste. Ajo e pyeti Balamin: ‘Pse më qëllon?’ Balami iu përgjigj: ‘Më bëre të dukem si budalla. Po të kisha një shpatë, do të të kisha vrarë.’ Gomarica i tha: ‘Unë të kam shërbyer për vite. A jam sjellë ndonjëherë kështu me ty?’
Atëherë Jehovai bëri që edhe Balami ta shihte engjëllin. Engjëlli i tha: ‘A nuk të paralajmëroi Jehovai që të mos e mallkoje Izraelin.’ Balami tha: ‘Gabova. Po kthehem në shtëpi.’ Por engjëlli i tha: ‘Mund të shkosh në Moab, por do të thuash vetëm fjalët që do të të thotë Jehovai.’
A nxori mësim nga kjo Balami? Jo. Më pas, ai u përpoq ta mallkonte Izraelin tri herë, por në të gjitha rastet, Jehovai bëri që ta bekonte. Në fund, izraelitët e sulmuan Moabin dhe Balami u vra. A nuk do të ishte më mirë sikur Balami ta kishte dëgjuar Jehovain që në fillim?
«Ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15