KALAHU
Qytet asirian i themeluar nga Nimrodi, që në fillim ishte pjesë e ‘qytetit të madh’ të përbërë nga Ninevia, Kalahu, Reseni dhe Rehobot-Iri. Tri vendet e fundit ishin, me sa duket, rrethina të Ninevisë. (Zn 10:9-12) Në tekstet kuneiforme asiriane, Kalahu shfaqet në formën Kalhu dhe gjatë periudhës së Perandorisë Asiriane u bë një nga tri qytetet kryesore të mbretërisë, bashkë me Ninevinë dhe Ashurin. Kalahu ndodhej në veri të vendit ku Zabi i Madh takohet me lumin Tigër, në bregun lindor të Tigrit, rreth 35 km në jug-juglindje të Ninevisë. Sot ai vend quhet Nimrud, duke ruajtur kështu emrin e themeluesit të tij të lashtë.
Në shekullin e nëntë p.e.s., Ashurnasirpali II pretendon ta ketë mëkëmbur Kalahun e ta ketë bërë kryeqytetin e tij, duke ndërtuar mure masive të fortifikuara me kulla të panumërta, një pallat mbretëror dhe tempuj, ku përfshihej edhe një kullë zigurat (në formë piramide) rreth 38 m e lartë. Nga kërkimet duket se qyteti mbulonte një sipërfaqe prej 358 hektarësh dhe nuk kishte vetëm pallate, tempuj e shtëpi, por edhe kopshte e pemishte, të cilat ujiteshin nga një kanal që furnizohej nga lumi Zab. Thuhet se në gostinë e shtruar nga Ashurnasirpali, me rastin e përfundimit të kryeqytetit të tij të ri, morën pjesë gjithë banorët e qytetit dhe figura të shquara nga jashtë, gjithsej 69.574 veta.
Nga gërmimet në rrënojat e Kalahut dolën në dritë disa nga punimet më të bukura të artit asirian, mes të cilave luanë me krahë e me kokë njeriu, dema me krahë, shumë basorelieve gjigante që vishnin muret e brendshme të pallateve, si dhe një koleksion i pasur me sende fildishi të gdhendura mjeshtërisht. U zbulua një statujë e Ashurnasirpalit në një gjendje mjaft të mirë, si dhe guri që u bë i njohur si Obelisku i Zi i Shalmaneserit III, ku përmendet mbreti i Izraelit, Jehu, që i paguan haraç Asirisë.—Shih SHALMANESERI nr. 1.
Në fund, me rënien e Perandorisë Asiriane, edhe Kalahu u shkatërrua bashkë me qytetet e tjera mbretërore.