KUSHËRIRA, KUSHËRIRI
Vajza ose djali i tezes, i hallës ose i ungjit. Hera e vetme ku shfaqet fjala greke anepsiós (kushëri) është te Kolosianëve 4:10, ku Pavli e quan Markun ‘kushëri të Barnabës’. Kryesisht, termi grek do të thotë «kushëri i parë», ndonëse në kuptimin më të gjerë përfshin çdo kushëri. Anepsiós shfaqet edhe në përkthimin e Septuagintës te Numrat 36:11 (në shumës), mirëpo në tekstin masoretik shprehja hebraike është përkthyer fjalë për fjalë «bijtë e xhaxhallarëve të tyre».
Te Luka 1:36, versioni King James e quan Elizabetën kushërirë (siggenís) të Marisë. Kjo fjalë greke konsiderohet një formë e veçantë e fjalës siggenés, e cila është përkthyer «farefis» në versionet moderne. (Lu 2:44; 21:16; Ve 10:24; BR, Dio) Siggenés del pesë herë te Septuaginta, dhe përsëri do të thotë «farefis, i afërm» në kuptimin e përgjithshëm, në vend të përcaktimit modern e kufizues «kushëri».—Le 18:14; 20:20; 25:45; 2Sa 3:39; Ezk 22:6; LXX.
Edhe pse në Shkrimet Hebraike nuk ka asnjë fjalë për kushëri, kjo lloj lidhjeje tregohet me shprehje të tilla, si «bijtë e . . . ungjit të Aaronit» ose «i biri i ungjit». (Le 10:4; 25:49) Përmenden disa martesa mes kushërinjve: Jakobi me Rakelën, si dhe vajzat e Zelofehadit. (Zn 28:2; 29:10-12; Nu 36:11) Martesat mes kushërinjve nuk shiheshin si incest dhe nuk ndaloheshin nga Ligji i Moisiut. (Le 18:8-16) Sot, ligjet civile për këtë çështje ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin; disa shtete e kombe i lejojnë martesat mes kushërinjve, kurse të tjerë i ndalojnë.