KUSHITËT
[të Kushit (Etiopisë)].
Termi «kushitë» mund të përdoret për banorët e Kushit në Afrikë ose në disa raste të tjera për një popullsi që banonte në Gadishullin Arabik. Duket se Zipora, gruaja e Moisiut, ishte nga këta të fundit. (Da 18:1-5; Nu 12:1) Zipora ishte kenite, një popull prejardhja e të cilit nuk mund të përcaktohet. (Zn 15:18, 19; Gjy 4:11) Shprehja te 2 Kronikave 21:16 «anash etiopasve [kushitëve]», e përdorur për disa arabë, mund të ketë edhe kuptimin «nën kontrollin e etiopasve». Kjo mund të shpjegojë edhe përdorimin e termit «kushit» për persona që nuk rridhnin nga Kushi. Mendohet se disa djem të Kushit u vendosën me banim në Gadishullin Arabik.—Shih HAVILAHU nr. 3; SABTAHU.
Megjithatë, termi «kushitë» përdoret kryesisht për banorët afrikanë të rajonit të lashtë të Etiopisë. Përveç ‘Zerahut, etiopasit [kushitit]’ dhe ‘Tirhakahut, mbretit të Etiopisë’ (2Kr 14:9; 2Mb 19:9), kushitët e tjerë të përmendur në Bibël janë: Ebed-Meleku (Jr 38:7-12; 39:16-18), eunuku etiopas që u bë i krishterë dhe mbretëresha së cilës ai i shërbente, kandakja. (Ve 8:26, 27) Për t’i dhënë Davidit lajmin e disfatës dhe të vdekjes së të birit, Absalomit, gjenerali Joab nuk zgjodhi një vrapues izraelit, por një kushit, të cilit nuk i përmendet emri.—2Sa 18:19-32; shih KUSHI nr. 2.