ZIPORA
[zog; ose ndoshta: zog i vogël].
Gruaja e Moisiut. Zipora u takua me Moisiun te një pus, teksa ajo dhe gjashtë motrat e saj po u jepnin ujë kopeve të të atit. Kur disa barinj erdhën dhe si zakonisht deshën t’i përzinin vajzat, Moisiu i ndihmoi, e madje u dha vetë ujë kopeve. Për këtë mirësi që bëri, atë e ftuan në shtëpinë e Ziporës; në fund, i ati i vajzës, Jetroi, i cili ishte edhe prift, ia dha vajzën Moisiut për grua. (Da 2:16-21) Zipora i lindi Moisiut dy djem, Gershomin dhe Eliezerin.—Da 2:22; 18:3, 4.
Kur Jehovai e dërgoi përsëri Moisiun në Egjipt, Zipora dhe dy djemtë e saj u nisën të shkonin me të. Gjatë rrugës ndodhi një ngjarje e rëndë. Tregimi, edhe pse mjaft i paqartë, thotë: «Tani, kur ishin akoma në udhë, Jehovai [«engjëlli i Jehovait», LXX] i doli përpara në vendin ku po kalonin natën, dhe kërkoi një mënyrë për ta vrarë. Më në fund, Zipora mori një strall, e rrethpreu të birin, e hodhi lafshën në këmbët e engjëllit, dhe tha: ‘Ti je për mua dhëndër gjaku.’ Prandaj, ai e la të ikte, dhe ajo tha: ‘Dhëndër gjaku’, për shkak të rrethprerjes.»—Da 4:24-26.
Studiuesit kanë paraqitur shumë interpretime për këtë fragment, disa prej të cilave i kanë shkrirë në përkthimet moderne të Biblës. (Shih Dio; si edhe CC, JB, Kx, La, NE, RS [anglisht], Zürcher Bibel [gjermanisht], Bover-Cantera [spanjisht] dhe Crampon, Lienart e Segond [frëngjisht].) Këto interpretime mundohen t’u japin përgjigje pyetjeve të tilla, si: jeta e kujt ishte në rrezik, e Moisiut apo e fëmijës? Çfarë preku Zipora me lafshën e prerë, këmbët e Moisiut, këmbët e fëmijës apo këmbët e engjëllit? Veç kësaj, guxojnë të japin mendime lidhur me arsyen pse Zipora tha (dhe kujt i tha): «Ti je për mua dhëndër gjaku.»
Duke marrë parasysh ligjin për rrethprerjen te Zanafilla 17:14, duket që në rrezik ishte jeta e fëmijës; që Zipora e rrethpreu fëmijën pasi e kuptoi çfarë duhej të bënte që të ishte në rregull; që ajo e hodhi lafshën e rrethprerë në këmbët e engjëllit që kërcënonte jetën e fëmijës, për të treguar se ajo pajtohej me ligjin e Jehovait; që Zipora iu drejtua Jehovait nëpërmjet engjëllit që e përfaqësonte, kur thirri fort: «Ti je për mua dhëndër gjaku»; e që me këtë donte të tregonte se e pranonte pozitën e saj si grua në besëlidhjen e rrethprerjes me Jehovain si burrë.—Shih Jr 31:32.
Megjithatë, nuk ka asnjë mënyrë që këto pyetje të marrin një përgjigje të sigurt nëpërmjet shkrimeve. Leximi fjalë për fjalë i këtij fragmenti në hebraishten e lashtë nuk është shumë i qartë për shkak të shprehjeve idiomatike që përdoreshin rreth 3.500 vjet më parë. Kjo është arsyeja pse disa përkthime të fjalëpërfjalshme (BR, Ro, Yg) dhe të tjera (AS, KJ, Da, Dy, JP, Mo, Le), duke përfshirë edhe Septuagintën, përkthimin e lashtë në greqisht, janë të paqarta për këto çështje.
Duket që Zipora u kthye të vizitonte prindërit e saj, pasi, jo shumë kohë pas Daljes nga Egjipti, Zipora dhe dy djemtë e saj shkuan bashkë me Jetroin të takonin Moisiun në kampin që izraelitët kishin ngritur në shkretëtirë. (Da 18:1-6) Ardhja në kamp e Ziporës provokoi dukshëm xhelozinë e Miriamit, motrës së Moisiut, dhe ajo (bashkë me Aaronin) nxori si pretekst origjinën kushite të Ziporës për të folur kundër Moisiut. (Nu 12:1) Kjo nuk do të thotë se Zipora kishte vdekur dhe Moisiu ishte martuar me një etiopase, siç mendohet në përgjithësi sot, pasi termi «kushite» mund të përfshijë edhe banorët e Arabisë, megjithëse zakonisht u referohet etiopasve.—Shih KUSHI nr. 2; KUSHITËT.