DANI
[gjykatës].
1. I pesti nga 12 bijtë e Jakobit; lindi në Padan-Aram. (Zn 35:25, 26) Dani ishte i parëlinduri i shërbyeses së Rakelës, Bilhasë, e cila duke zëvendësuar të zonjën që nuk lindte fëmijë, u bë një nga gratë dytësore të Jakobit. Kjo ishte arsyeja pse Rakela e birësoi djalin menjëherë dhe e quajti Dan, duke thënë: «Perëndia veproi si gjykatësi im . . . kështu që më dha një djalë.» (Zn 30:6) Bilhaja i bëri Danit edhe një vëlla tjetër që quhej Neftal. Në kohën kur Jakobi shkoi në Egjipt bashkë me gjithë familjen, Dani kishte një djalë që quhej Hushim (i quajtur Shuham te Nu 26:42). (Zn 46:7, 23, 26) Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, kur Jakobi ishte buzë vdekjes dhe thirri bijtë pranë shtratit, Dani, njësoj si njëmbëdhjetë të tjerët, gëzonte të drejta të plota si kreu i familjes për një nga 12 fiset e Izraelit. Kur e bekoi, Jakobi tha: «Si një nga fiset e Izraelit, Dani do të gjykojë popullin e tij. Dani qoftë si një gjarpër, si një gjarpër me brirë buzë rrugës, që kafshon noçkën e këmbës së kalit, dhe e hedh kalorësin së prapthi! Megjithatë, unë do ta pres shpëtimin nga ti, o Jehova.»—Zn 49:16-18.
2. Një nga fiset e Izraelit që mban emrin e djalit të 5-të të Jakobit. Djali i Danit, Hushimi, quhej edhe Shuham dhe shuhamitët ishin e vetmja familje e regjistruar për Danin. (Nu 26:42) Kur shkoi në Egjipt, Dani kishte vetëm këtë djalë, mirëpo, rreth dy shekuj më vonë, pas lirimit nga skllavëria, fisi numëronte 62.700 burra nga 20 vjeç e lart. (Zn 46:23; Nu 1:1, 38, 39) Ai ishte fisi i dytë për nga numri i burrave në moshë për të luftuar. Në shkretëtirë, fisi i Danit, që kishte për prijës Ahiezerin, ishte caktuar të fushonte në veri të tabernakullit mes fisit të Asherit dhe të Neftalit. Kur zhvendoseshin, ky fis nisej në pozicionin mjaft të rëndësishëm të praparojës, falë guximit, besnikërisë dhe besueshmërisë.—Nu 2:25-31; 10:25.
Kur u bë ndarja e Tokës së Premtuar, fisi i Danit që përfaqësohej nga prijësi i tij Buki, i biri i Joglit, mori një nga territoret më të vogla, pavarësisht se vazhdonte të ishte fisi i dytë për nga madhësia. Megjithatë, shorti i tij, që ishte i shtati, ra në një vend shumë të lakmueshëm në kufi me fiset e Judës, të Efraimit dhe të Beniaminit. Kjo tokë shtrihej nga luginat pjellore të Shefelahut deri në rrafshinat bregdetare të Mesdheut. Mirëpo, duke mos iu bindur plotësisht urdhrit të Jehovait për të dëbuar kombet që kishin zaptuar vendin, Dani e pati shumë të vështirë. (Nu 26:43; 34:22; Js 19:40-46; Gjy 1:34) Kjo bëri që një pjesë e fisit të zhvendosej në skajin më verior të Palestinës dhe të shtinte në dorë qytetin e Leshemit ose të Laishit, të cilin e quajti «Dan». (Js 19:47, 48; Gjy 18:11-31) Gjatë kësaj fushate danitët i grabitën një burri me emrin Mikea shëmbëlltyrën e gdhendur dhe e ngritën si perëndinë e tyre. Harruan që, vite më parë, anëtarët e fisit të Danit ishin zgjedhur për të qëndruar në malin e Ebalit nga ku u shpallën mallkimet, ku përfshihej edhe ky: «Mallkuar qoftë ai që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur a një shtatore të derdhur, që është e pështirë për Jehovain.» (Lp 27:13-15) Veç kësaj, Dani ra në sy që nuk ishte me gjykatësin Barak kur luftoi kundër ushtrive të Siserës.—Gjy 5:17.
Në historinë biblike, disa individë nga fisi i Danit spikatën në mënyrë të veçantë. Për shembull, Oholiabi, i biri i Ahisamakut, që iu dha mençuri hyjnore për të ndihmuar Bezalelin; ai e njihte shumë mirë artin e qëndistarisë dhe të endjes së pëlhurave të kushtueshme për orenditë e tabernakullit. (Da 31:1-6; 35:34, 35; 38:22, 23) Samsoni, shërbëtori besnik i Jehovait që shërbeu si gjykatës i Izraelit për 20 vjet, tregoi vërtetësinë e profecisë së Jakobit kur ishte në shtratin e vdekjes («Dani do të gjykojë popullin e tij»), si dhe të asaj që paratha Moisiu («Dani është një këlysh luani»). (Zn 49:16; Lp 33:22; Gjy 13:2, 24, 25; 15:20) Kur Davidi u bë mbret, mes ushtarëve të tij besnikë numëroheshin 28.600 danitë. Më vonë, Azareli, biri i Jerohamit përmendet si princi kryesor i fisit. (1Kr 12:35; 27:22) Nëna e ‘njeriut të zotë’ që dërgoi mbreti i Tirit për të ndihmuar Solomonin në ndërtimin e tempullit ishte nga fisi i Danit.—2Kr 2:13, 14.
3. Qytet në skajin verior të Palestinës. Para se ta shtinte në dorë fisi i Danit, banorët e tij paganë e quanin Leshem ose Laish. (Js 19:47; Gjy 18:7, 27) Danitët e rindërtuan qytetin e shkatërruar dhe e quajtën «Dan, nga emri i Danit, atit të tyre». (Gjy 18:28, 29) Megjithatë, rreth katër shekuj më herët, qyteti përmendet me emrin Dan në tregimin për Abrahamin që ndoqi Kedorlaomerin dhe aleatët e tij «deri në Dan». (Zn 14:14) Nuk ekziston asnjë argument që kundërshton se ai vend quhej Dan që në kohën e Abrahamit. Fakti që ky emër përkon me atë të paraardhësit të fisit të Danit mund të jetë një rastësi ose kështu mund të ketë dashur Perëndia.
Emri Dan shfaqet edhe në Pentateuk te Ligji i përtërirë 34:1, ku tregon një nga kufijtë e territorit që pa Moisiu në fund të jetës së tij, kur rroku me sy Tokën e Premtuar nga mali i Nebos. Përderisa Dani gjendet në rrëzë të maleve Anti-Liban (dhe jo larg nga mali i Hermonit), kjo do të thotë se ka mundësi që shikimi i Moisiut të ketë arritur deri në këtë vargmal. Këtu emri Dan mund të jetë përdorur ndoshta ngaqë e përdori Abrahami ose ngaqë pjesa e fundit e librit u shkrua nga Josiu, i cili tregoi ngjarjet që ndodhën pas vdekjes së Moisiut.
Dani gjendej «në ultësirën e Beth-Rehobit». Kjo zonë në veri të ujërave të Meromit dhe rrëzë Libanit, ishte një zonë pjellore, e lakmueshme dhe e ujitur mirë. (Gjy 18:28) Vendndodhjen e tij e lidhin me me Tell-el-Kadin (Tel-Danin), që në arabisht do të thotë «kodra e gjykatësit», duke ruajtur kështu domethënien e emrit «Dan» në hebraisht. Në këtë vend bashkohen dy burime që formojnë rrjedhën Nahr-el-Ledan, e cila është më e madhja e të gjitha rrjedhave që bashkohen pak kilometra më larg për të formuar lumin Jordan. Qyteti gjendej në një kodër të lartë në rrëzën jugore të malit Hermon dhe ishte me pamje nga baseni i madh Hula. Vendndodhja e tij ishte edhe strategjike, sepse shtrihej përgjatë rrugës së rëndësishme tregtare që lidhte Tirin me Damaskun.
Dani u bë sinonim i skajit verior të Izraelit, siç tregohet nga shprehja e përdorur shpesh «nga Dani deri në Beer-Shebë». (Gjy 20:1; 1Sa 3:20; 2Sa 3:10; 1Mb 4:25; 2Kr 30:5) Faktikisht, kishte qytete të tjera më në veri se Dani, njësoj siç kishte disa qytete më në jug se Beer-Sheba, por me sa duket Dani ishte një qytet shumë i rëndësishëm në veri, siç ishte Beer-Sheba në jug. Për shkak të pozitës së tij gjeografike, logjikisht Dani ishte ndër të parët që e pësonte nëse vendi sulmohej nga veriu, si në rastin e pushtimit nga siriani Ben-Hadad. (1Mb 15:20; 2Kr 16:4) Kjo pa dyshim pasqyrohet në shprehjet profetike të Jeremisë te Jeremia 4:15; 8:16. Pas ndarjes së mbretërisë, Jeroboami vendosi dy viça ari, njërin në Dan, tjetrin në Bethel, dhe qëllimi i tij ishte që t’i largonte nënshtetasit e vet nga tempulli në Jerusalem.—1Mb 12:28-30; 2Mb 10:29.
[Figura në botimin e shtypur]
Rrënojat e qytetit të Danit afër burimeve të lumit Jordan. Këtu, në skajin verior të vendit, Jeroboami ngriti qendrën e dytë të adhurimit të viçit, në kohën kur dhjetë fiset u ndanë nga Juda