DEKAPOLI
[rajon me dhjetë qytete].
Lidhje ose konfederatë prej dhjetë qytetesh (nga greqishtja déka, që do të thotë «dhjetë» dhe pólis, «qytet»). Ky emër përdorej edhe për rajonin ku ndodheshin shumica e këtyre qyteteve.—Mt 4:25.
Pas pushtimit të Aleksandrit të Madh, rreth vitit 332 p.e.s., në Siri e Palestinë u formuan koloni greke, ku me sa duket banuan veteranë të ushtrive të Aleksandrit e më pas edhe imigrantë greqishtfolës. Në mjaft raste, këto koloni u formuan në vendet që më parë ishin qytete judaike, kurse në raste të tjera u ndërtuan në vende të pabanuara, veçanërisht në lindje të lumit Jordan. Ato lulëzuan gjatë sundimit të Seleukajve të Sirisë e të Ptolemenjve të Egjiptit, por pozita e tyre relativisht e pavarur u vu tej mase në rrezik kur lindi shteti makabeo-judaik (që filloi rr. 168 p.e.s.). Megjithëse në këto qytete pa dyshim jetonin shumë judenj, ato ishin qendra të organizimit dhe të kulturës greke e prandaj nuk përputheshin me synimet e Makabenjve. Kur Pompeu pushtoi dhe riorganizoi Palestinën në vitin 63 p.e.s., këtyre qyteteve helene iu dha mbrojtja romake dhe një status i privilegjuar. Iu lejua të pritnin monedhat e tyre dhe, në një masë të madhe, të vetëqeveriseshin, ndonëse ende duhej t’i qëndronin besnikë Romës dhe qeverisë provinciale siriane, si edhe u kërkohej të paguanin taksa e të dërgonin burra në ushtri.
Formimi i Lidhjes. Ka të ngjarë që, diku mes pushtimit të Pompeut dhe vdekjes së Herodit të Madh (rr. 1 p.e.s.), dhjetë nga këto qytete helene të kenë formuar federatën e lirë të njohur si Dekapoli. Arsyeja kryesore e këtij bashkimi duket se ka qenë interesi i përbashkët për të pasur marrëdhënie të ngushta tregtare dhe për t’u mbrojtur nga forcat antihelene brenda Palestinës ose nga fiset nomade agresive të rajoneve të shkreta në lindje. Termi «Dekapoli» së pari del në Shkrimet e Krishtere Greke dhe në shkrimet e historianit Jozef e të Plini Plakut (të dy të shekullit të parë të e.s.). Megjithëse Plini e pranoi se tashmë ekzistonin opinione të ndryshme, ai renditi qytetet e mëposhtme mes dhjetë të parave: Damaskun, Filadelfian, Rafanën, Skithopolin, Gadarën, Hipon (Hiposin), Dionin, Pelénë, Galasën (Gerasën) dhe Kanathin. (Historia e natyrës, V, XVI, 74) Nga këto, vetëm Skithopoli (Beth-Sheani) shtrihej në perëndim të Jordanit dhe, për shkak të vendndodhjes strategjike në luginën e Esdraelonit, shërbeu si lidhje e rëndësishme me bregun dhe portet e Mesdheut. Damaskun, që ndodhej larg në veri, në Siri, siç duket e përfshinë ngaqë ishte qendër e rëndësishme tregtare. Filadelfia (Rabahu i lashtë, Amani i sotëm) ishte qyteti më jugor nga të dhjetë, vetëm rreth 40 km në verilindje të skajit verior të Detit të Vdekur. Pjesa tjetër e qyteteve ndodheshin në rajonin pjellor të Galaadit ose në Bashanin fqinj. Mendohet që shumica të kenë qenë në rrugët kryesore të atij rajoni ose afër tyre. Kanathi ka të ngjarë të jetë Kenati i përmendur te Numrat 32:42.
Në shekullin e dytë të e.s., Ptolemeu përmend 18 qytete si pjesë të «Dekapolit», e kjo mund të tregojë se emri nisi të përdorej në kuptim më të përgjithshëm dhe se numri i qyteteve varionte. Disa studiues, në vend të Rafanës, përfshinë Abilën e renditur nga Ptolemeu mes dhjetë qyteteve të para. Sidoqoftë, duket qartë se rajoni i Dekapolit nuk kishte kufij të përcaktuar saktë dhe se autoriteti i qyteteve të tij nuk ushtrohej në zonat që ndodheshin midis tyre, por vetëm brenda territorit të secilit qytet.
Shërbimi i Jezuit dhe Dekapoli. Ndonëse mes turmave të mbledhura në Galile kishte njerëz nga Dekapoli për të dëgjuar mësimet e Jezuit (Mt 4:25), nuk thuhet specifikisht nëse ai kaloi kohë te ndonjë nga këto qytete helene. Ama Jezui hyri në rajonin e Dekapolit gjatë shërbimit në Galile, kur kaloi detin e Galilesë dhe shkoi në vendin e gerazenëve (ose gadarenëve, sipas Mt 8:28). (Mr 5:1) Por këtu, pasi dëboi demonët dhe i lejoi të hynin te një tufë derrash që u shkatërruan, njerëzit e qytetit dhe të fshatrave aty afër iu lutën Jezuit «të ikte nga viset e tyre». Ai iku, por burri që Jezui kishte çliruar nga demonët iu bind udhëzimit të tij për t’u dëshmuar të afërmve, dhe bëri të njohur në Dekapoli shërimet e Jezuit. (Mr 5:2-20) Sipas disa studiuesve, prania e tufës së derrave ishte provë e mëtejshme e ndikimit jojudaik që mbizotëronte në atë rajon.
Pas Pashkës së vitit 32 të e.s. dhe kur u kthye nga një udhëtim në rajonet e Tirit e të Sidonit në Feniki, Jezui shkoi «drejt detit të Galilesë, mes për mes viseve të Dekapolit». (Mr 7:31) Diku në këtë rajon ai shëroi një të shurdhër që i mbahej goja dhe më vonë ushqeu me anë të një mrekullie një turmë me 4.000 veta.—Mr 7:32–8:9.
Historia e mëvonshme. Sipas Eusebit, para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., të krishterët e Judesë i vunë veshin paralajmërimit profetik të Jezuit dhe ikën në Pelé, qytet i Dekapolit, në rajonin malor të Galaadit.—Lu 21:20, 21; Histori kishtare, III, V, 3.
Ndonëse nuk ishin të vetmet qytete të Palestinës me prirje helene, te qytetet e Dekapolit pasqyrohej më shumë se kudo tjetër ndikimi grek. Mendohet se e arritën kulmin gjatë shekullit të dytë të e.s., kurse shekullin vijues Lidhja nisi të shpërbëhej. Dëshmi të ndikimit të fuqishëm grek dhe të pasurisë së qyteteve të Dekapolit shihen në rrënojat mbresëlënëse të teatrove, amfiteatrove, tempujve, banjave, ujësjellësve e strukturave të tjera në Gerasë (sot Jarashi) dhe në qytete të tjera.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
DEKAPOLI—Rrugë
Deti i Madh
Damask
Rafanë (?)
Hipos
Deti i Galilesë
Dion
Kanath
Abilë (?)
Gadarë
Skithopol (Beth-Shean)
Pelé
Gerasë
Filadelfia (Rabah)
Deti i Kripur