KRAHINA E JORDANIT
Pellgu në formë pak a shumë rrethore ose vezake ku rrjedh lumi Jordan. Përfshin pjesën e poshtme të luginës së Jordanit, siç mund të vërehet nga fakti që ‘krahina e Jordanit’ përmendet kur Solomoni derdhi bakrin në kallëpe, një punë që u krye midis Sukotit dhe Zaretanit. (1Mb 7:46; 2Kr 4:17; krahaso 2Sa 18:23.) Gjithsesi, ‘krahina’ shtrihej me sa duket deri në skajin jugor të Detit të Vdekur, ku duhej të ndodheshin ‘qytetet e krahinës’. (Zn 13:10-12) Pra, përfshinte luginën e Jerikosë dhe madje arrinte deri në Zoar, në qytetin ku iku Loti me të bijat.—Zn 19:17-25; Lp 34:3.
Kërkimet e bëra në skajin jugor të Detit të Vdekur tregojnë se poshtë gjuhës së dheut që quhet Lisan, ujërat kanë mbuluar një copë toke të madhe. Shumë studiues mendojnë se ‘qytetet e krahinës’ ndodhen të fundosura në këtë zonë, që dikur ishte «e ujitur mirë» dhe ngjante si «kopshti i Jehovait». (Zn 13:10) Kjo mund të thuhej jo vetëm për rajonin në veri të Detit të Vdekur, ku sot vetëm rrafshinat e Moabit dhe oaza e Jerikosë janë mjaft pjellore, por edhe për pjesën jugore të krahinës. Sot, rrafshina që shtrihet përgjatë Lisanit përshkruhet ende si një «oazë gjatoshe», ku mund të kultivohen elb, grurë, hurma Arabie e hardhi. Edhe zona e deltës së lumit Zered, i cili derdhet në jug të Detit të Vdekur, është quajtur një «oazë e pasur».