ZOARI
[vogëlsi].
Qytet i «krahinës», që duhet të ketë qenë dikur buzë një rrafshine pjellore. (Zn 13:10-12; shih KRAHINA E JORDANIT.) Me sa duket, emri i vjetër i Zoarit ishte Belah. Në ditët e Abrahamit, atje sundonte një mbret që u rebelua bashkë me katër mbretërit e tjerë të krahinës pasi kishin qenë 12 vjet nën sundimin e Kedorlaomerit. Mirëpo monarku i Elamit dhe tre aleatët e tij i mundën. (Zn 14:1-11) Kur Jehovai do të shkatërronte Sodomën, Loti kërkoi të ikte në Zoar dhe u lejua, kështu që ai qytet nuk u shkatërrua. (Zn 19:18-25) Më vonë, nga frika Loti u largua nga Zoari tok me dy bijat e tij dhe banuan në një shpellë në rajonin malor aty pranë.—Zn 19:30.
Ishte parathënë se, kur Moabit t’i binte gjëma, të ikurit e tij do të shkonin në Zoar dhe klithma për shkatërrimin e kombit do të dëgjohej «nga Zoari . . . deri në Horonaim, në Eglath-Shelishijah», dhe kjo ndoshta tregon se Zoari ishte asokohe qytet moabit. (Is 15:5; Jr 48:34) Te Jeremia 48:4, disa përkthime të sotme (AT, JB, NE, RS) dhe Septuaginta greke (31:4, LXX, Bagster) përmendin Zoarin (Zogorën), ndërsa teksti masoretik hebraik thotë ‘të vegjlit e tij’. (BR, Dio, Le, Ro) Teksa Moisiu kundronte vendin nga mali i Nebos, skaji jugor që pa ishte Zoari. (Lp 34:1-3) Siç duket, qyteti ndodhej në Moab ose afër tij, pranë rajonit malor të Moabit dhe diku në juglindje të Detit të Vdekur. (Krahaso Zn 19:17-22, 30, 37.) Disa studiues mendojnë se ishte në veri të Detit të Vdekur, të tjerë në gadishullin e El Lisanit ose menjëherë në perëndim a në jug të skajit jugor të detit. Sipas Johanan Aharonit, ndodhej në Es Safi, në deltën e luginës së përroit të Zeredit (Vadi-el-Hasaʼ). Në mesjetë, emrin e Zoarit e lidhnin me një vend të rëndësishëm mes Jerusalemit dhe Elathit. Gjithsesi, disa studiues besojnë se Zoari i lashtë dhe ‘qytetet [e tjera] të krahinës’ gjenden nën ujërat e pjesës jugore të Detit të Vdekur.—Zn 13:12.