DOEGU
[ndoshta: në ankth; i frikësuar].
Edomit që shërbente si kryebariu i mbretit Saul, një detyrë e rëndësishme mbikëqyrjeje. (1Sa 21:7; 22:9) Duket se Doegu ishte prozelit. Meqenëse «e kishin ndaluar para Jehovait» në Nob, ndoshta për shkak të një zotimi, të ndonjë papastërtie ose ngaqë dyshohej si i lebrosur, Doegu pa me sytë e vet kryepriftin Ahimelek kur i dha Davidit bukët e paraqitjes dhe shpatën e Goliadit. Më vonë, kur Sauli akuzoi shërbëtorët se po komplotonin kundër tij, Doegu tregoi çfarë kishte parë në Nob. Sauli kërkoi të vinte kryeprifti dhe priftërinjtë e tjerë të Nobit dhe, pasi e pyeti Ahimelekun, urdhëroi vrapuesit që të vritnin priftërinjtë. Meqenëse ata nuk pranuan, me urdhër të Saulit, Doegu vrau pa ngurruar plot 85 priftërinj. Pas këtij veprimi të lig, Doegu e shkatërroi Nobin dhe kaloi në teh të shpatës të gjithë banorët e tij, të rinj e të moshuar, si dhe bagëtinë.—1Sa 22:6-20.
Siç tregon mbishkrimi i Psalmit 52, Davidi shkroi për Doegun: «Gjuha jote e mprehtë si brisk thur plane për të sjellë mundime duke vepruar me mashtrim. Ti e ke dashur të keqen më shumë se të mirën, ke dashur më shumë të gënjesh se të flasësh me drejtësi. Ti, o gjuhë mashtruese, i ke dashur të gjitha fjalët që rrënojnë.»—Ps 52:2-4.