DUMAI
1. Një nga 12 bijtë e Ismaelit; renditet i gjashti. Pas martesës të së motrës, Mahalatës, Dumai u bë kunat i Esaut, kushëririt të vet. Ai u bë edhe prijës i një klani ose kombi, në përmbushje të premtimit që i kishte bërë Jehovai Abrahamit.—Zn 17:20; 25:14-16; 28:9; 1Kr 1:30.
Me sa duket, nga ismaeliti Duma e mori emrin një rajon në Arabinë Veriore, pak a shumë në gjysmë të rrugës mes Tokës së Premtuar dhe Babilonisë Jugore. Emri i tij u ruajt në emrin e oazës Dumat-al-Gandal (sot Al Jauf). Mbreti asirian Senakerib përmend një Adumatu që «ndodhej në shkretëtirë». Esar-Hadoni thotë se i ati, Senakeribi, pushtoi një vend të quajtur Adumu.
2. Një nga qytetet që iu dhanë fisit të Judës pasi Josiu pushtoi vendin. (Js 15:52) Ndodhej në rajonin malor dhe mendohet se ishte Kirbet-Domeh-ed-Deiri (Dumai) i sotëm, afro 15 km në jugperëndim të Hebronit.
3. Tek Isaia 21:11 bëhet një shpallje kundër «Dumait». Mirëpo, fill pas kësaj përmendet «Seiri», çka mund të tregojë se ai mesazh drejtohet kundër Edomit. (Zn 32:3) Në Septuagintën greke, tek Isaia 21:11 nuk thuhet «Dumai», por «Idumea» (vendi i edomitëve).