EN-GANIMI
[burim (ose krua) i kopshteve].
1. Qytet i Judës në Shefelah, në ultësirë, i përmendur tok me Adulamin e me qytete të tjera te Josiu 15:33-35. Ka të ngjarë që vendndodhja të jetë Beit-Jimali i sotëm, rreth 2,5 km në jug të Beth-Shemeshit, ose një vend aty afër. Disa kanë hedhur idenë se ndodhej në Um-Jinë, afro 1 km në perëndim të Beth-Shemeshit, por ka më pak mundësi të ishte kjo vendndodhja, sepse atje nuk është gjetur ndonjë burim.
2. Qytet në trashëgiminë e fisit të Isakarit. (Js 19:17, 21) Ndoshta është qyteti që historiani Jozef e quan Gine. Sot e lidhin me Jeninin, qytezë në skajin jugor të luginës së Megidos, ose të Jezreelit, që ndodhet rreth 18 km në juglindje të Megidos dhe 8 km në verilindje të Dotanit, buzë rrugës kryesore nga Jerusalemi për në Nazaret. Përqark Jeninit ka pemishte, kopshte dhe një krua, karakteristika që harmonizohen më së miri me kuptimin e emrit En-Ganim.
En-Ganimi dhe kullotat e tij iu caktuan bijve të Gershonit si qytet levit. (Js 21:27-29) Siç duket, te 1 Kronikave 6:73 quhet Anem.