GIBEONI
[vend kodrinor], gibeonitët.
Sot mendohet se vendndodhja e qytetit të Gibeonit është El Jibi, rreth 9,5 km në veri-veriperëndim të Malit të Tempullit në Jerusalem. Atje janë gjetur shumë doreza shtambash balte ku shkruhet emri Gibeon në hebraishten e lashtë. I ndërtuar në një kodër që ngrihet afro 60 m mbi rrafshinën përqark, qyteti i lashtë zinte një hapësirë rreth 6,5 ha.
Kohët e fundit, atje janë bërë mjaft gërmime arkeologjike, që nxorën në dritë një tunel 51 m të gjatë, të hapur në shkëmb të fortë. Në lashtësi, ai ndriçohej me llamba të vendosura në intervale të rregullta në kamare përgjatë mureve. Nëpërmjet 93 shkallareve të gdhendura në shkëmb, tuneli të çonte nga Gibeoni te një shpellë-rezervuar artificial, që ushqehej nga një burim rreth 25 m nën murin e qytetit. Kështu, gibeonitët kishin një rezervë ujore të sigurt edhe në kohë rrethimi. Nga gërmimet u zbulua edhe një pellg a rezervuar i rrumbullakët i hapur në shkëmb, me diametër 11,3 m. Një shkallë rrethore, me shkallare afro 1,5 m të gjera, zbret përqark anës së pellgut në drejtimin e akrepave të orës. Nga fundi i pellgut, që është 10,8 m i thellë, shkallaret vazhdojnë edhe 13,6 m përmes një tuneli derisa arrijnë në një dhomë me ujë. Nuk dihet me siguri nëse ky pellg a rezervuar është ‘rezervuari i Gibeonit’ i përmendur në Bibël.—2Sa 2:13.
Marrëdhëniet me Josiun. Në kohën e Josiut, në Gibeon banonin hivitët, një nga shtatë kombet kananite që i priste shkatërrimi. (Lp 7:1, 2; Js 9:3-7) Gibeonitët quheshin edhe amoritë, term që me sa duket përdorej hera-herës për tërë kananitët në përgjithësi. (2Sa 21:2; krahaso Zn 10:15-18; 15:16.) Ndryshe nga kananitët e tjerë, gibeonitët e kuptuan se, pavarësisht nga fuqia ushtarake dhe madhështia e qytetit të tyre, nuk do t’i bënin dot ballë Izraelit, sepse për të luftonte Jehovai. Prandaj, pas shkatërrimit të Jerikosë dhe të Ait, burrat e Gibeonit, që duket se përfaqësonin edhe tri qytetet e tjera hivite të Kefirahut, Beerotit dhe Kiriat-Jearimit (Js 9:17), dërguan një delegacion te Josiu në Gilgal që të kërkonin paqe. Ambasadorët gibeonitë me rroba e sandale të vjetëruara, kacekë vere të çarë, thasë të vjetëruar dhe bukë të thatë e të thërrmuar, u paraqitën sikur vinin nga një vend i largët, pra nuk ishin pengesë për pushtimet që do të bënte Izraeli. Ata e pranuan se në gjëmat që i kishin ndodhur Egjiptit dhe mbretërve amoritë Sihon dhe Og, ishte dora e Jehovait. Por, me mençuri, nuk e përmendën atë që i kishte ngjarë Jerikosë dhe Ait, sepse ato lajme nuk mund të kishin arritur gjer në ‘vendin e tyre shumë të largët’ para se të ishin nisur. Përfaqësuesit e Izraelit i shqyrtuan e i pranuan dëshmitë dhe bënë besëlidhje me ta që t’i linin gjallë.—Js 9:3-15.
Nuk kaloi shumë dhe dredhia doli në shesh. Megjithatë, besëlidhja mbeti në fuqi; thyerja e saj do të vinte në pikëpyetje besueshmërinë e Izraelit dhe do të çnderonte emrin e Jehovait mes kombeve të tjera. Kur Josiu u ballafaqua me gibeonitët për rrengun që u punuan, ata sërish pranuan se Jehovai ishte me Izraelin dhe pastaj e lanë veten në mëshirën e tij, duke thënë: «Ja, tani jemi në dorën tënde. Bëj me ne si të jetë e mirë dhe e drejtë në sytë e tu.» Atëherë i caktuan të bënin dru e të nxirrnin ujë për asamblenë dhe për altarin e Jehovait.—Js 9:16-27.
Edhe pse gibeonitët përdorën dredhi që Josiu dhe prijësit e tjerë të bënin besëlidhje me ta, e gjithë kjo duket se ishte në harmoni me vullnetin e Jehovait. (Js 11:19) Një provë e kësaj është fakti se, kur pesë mbretër amoritë u orvatën t’i shfarosnin gibeonitët, Jehovai e bekoi operacionin ushtarak të Izraelit që shkoi t’i shpëtonte. Ai madje hodhi mbi armiqtë një breshër kokërrmadh dhe e zgjati ditën me anë të një mrekullie gjersa mbaroi beteja. (Js 10:1-14) Veç kësaj, edhe kur kërkuan të lidhnin një besëlidhje paqeje me Izraelin, edhe kur i kërkuan ndihmë Josiut pasi i kërcënuan, gibeonitët treguan besim tek aftësia e Jehovait për ta përmbushur fjalën e tij dhe për të shpëtuar, besim për të cilin Rahaba e Jerikosë ishte lavdëruar dhe kishte fituar jetën me gjithë njerëzit e shtëpisë së vet. Gjithashtu, gibeonitët kishin një frikë të shëndetshme ndaj Perëndisë së Izraelit.—Krahaso Js 2:9-14; 9:9-11, 24; 10:6; He 11:31.
Nën sundimin e Izraelit. Më pas, Gibeoni u bë një prej qyteteve në territorin e Beniaminit që iu caktuan priftërinjve nga linja e Aaronit. (Js 18:21, 25; 21:17-19) Beniaminiti Jejel me sa duket ngriti një familje atje ose u bë ‘ati’ i qytetit. (1Kr 8:29; 9:35) Një nga burrat e fuqishëm të Davidit, Ishmajahu, ishte gibeonit (1Kr 12:1, 4); edhe profeti i rremë Hananiah, bashkëkohës i Jeremisë, ishte nga Gibeoni.—Jr 28:1.
Në shekullin e 11-të p.e.s., Gibeoni dhe rrethinat e tij u bënë dëshmitarë të një përleshjeje mes ushtrisë së Ish-Boshethit nën komandën e Abnerit dhe asaj të Davidit nën udhëheqjen e Joabit. Në fillim, pa dyshim për të zgjidhur çështjen se kush do të ishte mbret mbi mbarë Izraelin, u ndeshën 12 burra nga secila palë. Mirëpo kjo nuk zgjidhi asgjë, sepse çdo luftëtar i nguli shpatën kundërshtarit të vet, e kështu vdiqën të 24. Atëherë plasi një luftë e ashpër dhe Abneri humbi 18 herë më shumë burra sesa Joabi. Gjithsej ranë 380 të vrarë, ndër të cilët edhe vëllai i Joabit, Asaheli, të cilin e vrau Abneri. (2Sa 2:12-31) Më vonë, Joabi vrau Abnerin, duke marrë hak për Asahelin. (2Sa 3:27, 30) Pas njëfarë kohe, pranë gurit të madh në Gibeon, Joabi vrau edhe kushëririn e vet, Amasën, nip i Davidit dhe i emëruar prej tij si kreu i ushtrisë.—2Sa 20:8-10.
Në rrjedhën e shekujve, gibeonitët vazhduan të ekzistonin si popull, sado që mbreti Saul kurdisi plane për t’i shfarosur. Ndërkohë, gibeonitët pritnin me durim që Jehovai ta nxirrte në shesh padrejtësinë, dhe ai e bëri këtë me anë të një zie buke trevjeçare gjatë mbretërimit të Davidit. Pasi pyeti Jehovain dhe mori vesh se ishte derdhur gjak i pafajshëm, Davidi foli me gibeonitët për të kuptuar si t’i dëmshpërblente. Me të drejtë, gibeonitët u përgjigjën se nuk ishte «çështje argjendi apo ari», sepse, sipas Ligjit, nuk mund të merrej asnjë shpërblesë për një vrasës. (Nu 35:30, 31) Gjithashtu, pranuan se nuk mund të vritnin njeri pa pasur leje ligjore. Prandaj, vetëm pasi Davidi i pyeti prapë, kërkuan t’u jepeshin shtatë nga «bijtë» e Saulit. Përderisa faji i gjakut rëndonte si mbi Saulin, edhe mbi shtëpinë e tij, kjo nënkupton se, ndonëse nismëtari i veprës gjakatare duhet të ketë qenë Sauli, «bijtë» e tij mund të kenë pasur gisht drejtpërdrejt ose tërthorazi. (2Sa 21:1-9) Kështu, nuk ishte një rast kur fëmijët vdisnin për mëkatet e baballarëve (Lp 24:16), por ishte një akt drejtësie shpaguese në përputhje me ligjin «do të jepet shpirt për shpirt».—Lp 19:21.
Gjatë jetës së Davidit, tabernakulli u zhvendos në Gibeon. (1Kr 16:39; 21:29, 30) Atje i bëri flijimet Solomoni në fillim të mbretërimit të tij. Po në Gibeon, Jehovai iu shfaq në një ëndërr dhe e ftoi t’i kërkonte ç’të dëshironte.—1Mb 3:4, 5; 9:1, 2; 2Kr 1:3, 6, 13.
Vite më pas, profeti Isaia (28:21, 22) paratha veprën e çuditshme dhe punën e pazakontë të Jehovait, që do të ngrihej kundër popullit të vet, dhe e krahasoi me atë që kishte ndodhur në ultësirën e Gibeonit. Ka të ngjarë ta kishte fjalën për fitoren që i dha Perëndia Davidit mbi filistinët (1Kr 14:16), në mos edhe për disfatën shumë më të hershme të aleancës amorite në ditët e Josiut. (Js 10:5, 6, 10-14) Profecia pati një përmbushje në vitin 607 p.e.s., kur Jehovai i lejoi babilonasit të shkatërronin Jerusalemin bashkë me tempullin.
Jo shumë kohë pas shkatërrimit të parathënë, Ismaeli vrau në Mizpah Gedaliahun, guvernatorin që kishte caktuar Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Gjithashtu, vrasësi dhe burrat e tij morën rob ata që kishin mbetur nga populli i Mizpahut. Megjithatë, Johanani bashkë me burrat e tij e arritën Ismaelin pranë ujërave të bollshme të Gibeonit dhe i morën prapë robërit.—Jr 41:2, 3, 10-16.
Mes atyre që u kthyen nga mërgimi në Babiloni në vitin 537 p.e.s. kishte edhe burra nga Gibeoni, e më vonë disa nga ata morën pjesë në meremetimin e murit të Jerusalemit.—Ne 3:7; 7:6, 7, 25.
[Figura në botimin e shtypur]
Gibeoni i sotëm. Gibeonitët e lashtë e kuptuan se Jehovai luftonte për Izraelin, prandaj kërkuan paqe