GALAADI
[ka të ngjarë që vjen nga fjala Galed, që do të thotë «tog dëshmitar»].—Zn 31:47, 48.
1. Bir i Makirit dhe nip i Manaseut; paraardhës i jezeritëve dhe i helekitëve.—Nu 26:29, 30; 27:1; Js 17:1, 3; 1Kr 2:21, 23; 7:14-17.
2. Gadit i përmendur në gjenealogjinë e Abihailit.—1Kr 5:11-14.
3. I ati i Jefteut.—Gjy 11:1, 2.
4. Term gjeografik i përdorur në kuptime të ndryshme në Bibël. Në kuptimin e ngushtë të fjalës, Galaad quhej rajoni malor në formë kubeje në lindje të lumit Jordan, që shtrihej në veri e në jug të luginës së përroit të Jabokut. (Js 12:2) Ai kufizohej në veri me Bashanin; në jug me rrafshnaltën që shtrihej në veri të luginës së përroit të Arnonit; në lindje me territorin e Amonit. (Lp 2:36, 37; 3:8-10) Megjithatë, hera-herës fjalët ‘Galaad’ ose ‘vendi i Galaadit’ përdoreshin në përgjithësi për mbarë territorin e Izraelit në lindje të Jordanit, duke përfshirë Bashanin dhe rrafshnaltën në veri të Arnonit.—Js 22:9; Gjy 20:1, 2; 2Sa 2:9; 2Mb 10:32, 33; shih GALEDI.
Me sa duket, Galaadi përbëhej nga dy pjesë. Edhe pse te Numrat 32:40 quhet thjesht Galaad, territori që iu caktua gjysmës së fisit të Manaseut quhet më specifikisht ‘pjesa tjetër e Galaadit’ (Lp 3:13) ose «gjysma e Galaadit». (Js 13:31) Po ashtu, e thënë më qartë, territori i Gadit bashkë me atë të Rubenit në jug të zonës që iu dha gjysmës së fisit të Manaseut quhej ‘gjysma e rajonit malor të Galaadit’. (Lp 3:12) Gjithsesi, e njëjta zonë quhej nganjëherë edhe thjesht Galaad, e po ashtu edhe pjesa që iu caktua Gadit (ku ndodhej Ramoti, një nga qytetet e strehimit).—Nu 32:29; Js 13:24, 25; 21:38.
Nga të paktën 210 m nën nivelin e detit në luginën e Jordanit, Galaadi arrin një lartësi mbi 1.000 m. Falë shirave të bollshme në dimër, vesës së dendur në verë, si edhe krojeve të shumta, në lashtësi ky rajon pjellor vishej me pyje të mëdha dhe ishte i famshëm për balsamin shërues. (Jr 8:22; 46:11; shih BALSAMI.) Pllajat e tij të valëzuara ishin vend i shkëlqyer për të mbarështuar bagëtitë dhe për të kultivuar drithë. Gjithashtu, në Galaad lulëzonin hardhitë.—Nu 21:22; 32:1.
Ngjarje historike në Galaad. Pak para hyrjes së izraelitëve në Tokën e Premtuar, mbreti amorit Sihoni kishte nën kontroll pjesën e Galaadit në jug të luginës së përroit të Jabokut, kurse Ogu, mbreti i Bashanit, sundonte në pjesën veriore. (Js 12:1-4) Nën udhëheqjen e Moisiut, izraelitët i mundën të dy këta mbretër, dhe fiset e Gadit e të Rubenit kërkuan t’u jepej si trashëgimi ai rajon, meqë kishin shumë bagëti. (Nu 21:21-24, 33-35; 32:1-5) Kërkesa do t’u plotësohej me kusht që luftëtarët e të dyja fiseve të kalonin Jordanin dhe të ndihmonin në pushtimin e Tokës së Premtuar. (Nu 32:20-24, 28-30) Ata pranuan dhe rindërtuan menjëherë qytete për familjet e tyre, që do t’i linin pas. (Nu 32:25-27, 31-38) Edhe gjysma e fisit të Manaseut mori trashëgimi në lindje të Jordanit.—Nu 32:33, 39, 40.
Ndërsa ktheheshin në trashëgiminë e tyre në Galaad, burrat e Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut ndërtuan një altar në kujtim të besnikërisë ndaj Jehovait. (Js 22:9, 10, 26-29) Më vonë, bashkë me fiset e tjera, ata u ngritën si një i vetëm kundër beniaminitëve që mbronin nga ndëshkimi keqbërësit e Gibeahut. (Gjy 20:1-48) Mirëpo, në kontrast të plotë me këtë veprim, «Galaadi» u qortua ngaqë nuk u bashkua me Barakun në luftën kundër Siserës. (Gjy 5:17) Po ashtu, kohë më pas, burrat e Sukotit dhe të Penuelit, dy qytete në Galaad, nuk pranuan t’i ndihmonin me ushqime Gideonin dhe burrat e tij që po ndiqnin këmba-këmbës midianitët.—Gjy 8:4-9.
Pas vdekjes së gjykatësit Jair nga Galaadi, Izraeli ra prapë në idhujtari, e kështu erdhën 18 vjet shtypjeje të egër nga amonitët. Para këtij kërcënimi, burrat e Galaadit hoqën dorë nga adhurimi i rremë dhe i kërkuan galaditit Jefte të bëhej komandanti i tyre në luftën kundër Amonit. Si pasojë, amonitët u mposhtën.—Gjy 10:3, 5-10; 11:4-11, 32, 33.
Megjithatë, vite më vonë, Galaadi ende hiqte keq nga amonitët. (Am 1:13) Pak pasi Sauli ishte mirosur si mbreti i parë i Izraelit, amoniti Nahash rrethoi Jabesh-Galaadin dhe do të pranonte që qyteti të dorëzohej vetëm me kusht që burrave t’u nxirrej syri i djathtë. Ku e mori vesh këtë, Sauli mobilizoi sakaq një ushtri prej 330.000 burrash e u dha dërrmën amonitëve. (1Sa 11:1-11) Pastaj, për Galaadin duket se nisi një periudhë pak a shumë e sigurt që vazhdoi edhe pas vdekjes së Saulit, siç e tregon fakti që Abneri zgjodhi qytetin galadit të Mahanaimit për të kurorëzuar mbret Ish-Boshethin, birin e Saulit. (2Sa 2:8, 9) Mirëpo, gjatë mbretërimit të Davidit, nisën prapë telashet me amonitët. Galaadi dhe rrethinat e tij u bënë arenë betejash e si përfundim Amoni u bë zap plotësisht.—2Sa 10:6-19; 11:1; 12:26-31.
Më vonë, gjatë rebelimit të Absalomit, mbreti David ia mbathi për në Galaad dhe u mikprit me përzemërsi në Mahanaim, sidomos nga Barzilai i moshuar. (2Sa 17:27-29; 19:32) Me sa duket, në Galaad forcat e Davidit dhe të Absalomit u ndeshën në betejë. Disfata e thellë e Absalomit i çeli rrugën Davidit që të largohej nga Galaadi dhe të hipte sërish në fron.—2Sa 17:24; 18:6-8.
Jo shumë kohë pas formimit të mbretërisë dhjetëfisëshe (997 p.e.s.), sirianët aneksuan një pjesë të territorit të Galaadit. Në epokën e mbretit Akab dhe të profetit galadit Elija, Ramot-Galaadi, një qytet strehimi i Gadit në Galaadin lindor, ishte në dorë të sirianëve. (1Mb 17:1; 22:3) Më pas, gjatë mbretërimit të Jehut dhe të birit të tij Jehoahazit, Galaadi humbi akoma më shumë territor dhe mbretërit sirianë Hazael e biri i tij Ben-Hadadi III e shinë keq. (2Mb 10:32-34; 13:1, 3, 7; Am 1:3, 4) Megjithatë, Jehoasi, biri i Jehoahazit, i mundi sirianët tri herë dhe i shtiu sërish në dorë qytetet që i kishin marrë Izraelit gjatë mbretërimit të të atit.—2Mb 13:25.
Në fund, në ditët e Pekahut, mbret i Izraelit (rr. 778-759 p.e.s.), Tiglath-Pileseri III, mbreti i Asirisë, i çoi në mërgim banorët e Galaadit. (2Mb 15:29) Siç duket, amonitët përfituan menjëherë nga rasti dhe nisën të zaptonin territorin e Galaadit. (Ps 83:4-8; Jr 49:1-5) Gjithsesi, me anë të profetëve të tij, Jehovai i siguroi izraelitët se më pas do të ktheheshin në atë rajon.—Jr 50:19; Mi 7:14; Za 10:10.
5. «Qyteti» i përmendur nga Hozea si i mbushur me mashtrime, gjakderdhje dhe njerëz që merreshin me gjëra të dëmshme. (Ho 6:8; krahaso 12:11.) Meqë Galaadi nuk quhet qytet askund tjetër në Shkrime, disa mendojnë se bëhet fjalë për Jabesh-Galaadin ose për Ramot-Galaadin. Të tjerë hedhin idenë se kjo i referohet mbarë rajonit në lindje të Jordanit.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Territori i GALAADIT
GALAAD
M. Hermon
ARGOB
BASHAN
Deti i Galilesë
Ashtarot
Golan
L.p. të Jarmukut
Edrei
Ramot-Galaad
L.p. të Jabokut
Lumi Jordan
Rabah
Bezer
AMON
Deti i Kripur
L.p. të Arnonit