BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/8 f. 26-31
  • Pranoj me gëzim drejtimin e Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pranoj me gëzim drejtimin e Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ndreq përqendrimin tim në jetë
  • Stërvitje e vlefshme si pionierë
  • Vullnetarë për shërbimin në vend të huaj
  • Nga Uashingtoni në Galaad
  • Shërbimi në Selinë Botërore
  • Rregullisht në Galaad
  • Puna me studentët
  • Duke parë drejt së ardhmes
  • Galaadi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Shkolla e Galadit—Shtrirja e saj mbarëbotërore
    Si përdoren dhurimet e tua
  • Nga studentë të suksesshëm në misionarë të suksesshëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Shkolla e Galaadit nxjerr klasën e 100-të të saj
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/8 f. 26-31

Pranoj me gëzim drejtimin e Jehovait

TREGUAR NGA JULISIZ V. GLAS

Ishte një rast i jashtëzakonshëm. Në klasën e të diplomuarve kishte vetëm 127 studentë. Por, në auditorin entuziast kishte 126.387 të pranishëm, të cilët kishin ardhur nga shumë kombe. Ishte diplomimi i klasës së 21-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, i cili u mbajt në stadiumin Jenki të Nju Jork Sitit, më 19 korrik 1953. Përse kjo ishte një ngjarje kaq domethënëse në jetën time? Më lejoni t’ju tregoj paksa kontekstin.

LINDA në Vincenes të Indianas, SHBA më 17 shkurt 1912, rreth dy vjet para lindjes së Mbretërisë Mesianike, siç përshkruhet në Zbulesën 12:1-5. Një vit më përpara, prindërit e mi kishin filluar të studionin Biblën me vëllimet Studime mbi Shkrimet. Çdo të diel në mëngjes, babai i lexonte familjes një fragment nga ata libra dhe pastaj flitnim bashkë për të.

Mamaja e përdorte atë që po mësonte për të modeluar mendimet e fëmijëve të saj. Ajo ishte shumë e mirë, shumë e dashur dhe shumë e gatshme për të ndihmuar. Në familje ishim katër fëmijë, por dashuria e mamasë ishte aq e madhe sa të përfshinte edhe fëmijë të tjerë nga lagjja. Ajo kalonte kohë me ne. I pëlqente shumë të na thoshte tregime biblike dhe të këndonte me ne.

Ajo ftonte, gjithashtu, në shtëpi vëllezër të ndryshëm që ishin në shërbimin e plotkohor. Këta qëndronin te ne për një ose dy ditë, shpesh duke mbajtur mbledhje dhe fjalime në shtëpinë tonë. Na pëlqenin në veçanti ata që përdornin ilustrime dhe që na tregonin histori. Në një rast, në vitin 1919, rreth një vit pas përfundimit të Luftës I Botërore, vëllai që po na vizitonte, na i drejtoi komentet në veçanti ne fëmijëve. Ai foli për shenjtërimin, të cilit sot i referohemi më saktë si dedikimi, dhe na ndihmoi të kuptonim se si ndikonte ai në jetën tonë. Më vonë atë mbrëmje, kur shkova për të fjetur, iu luta Atit tim qiellor dhe i thashë se doja t’i shërbeja atij gjithmonë.

Gjithsesi, pas vitit 1922, shqetësime të tjera në jetë patën tendencën për ta shtyrë këtë vendim në plan të dytë. Transferoheshim nga një vend në tjetrin dhe nuk shoqëroheshim me ndonjë kongregacion të popullit të Jehovait. Babai ishte larg shtëpisë, për shkak të punës së tij në hekurudhë. Studimin e Biblës nuk e bënim rregullisht. Unë ndoqa kurse shkollore, me synimin për t’u bërë agjent reklamash dhe po bëja planet për të shkuar në një universitet të njohur.

Ndreq përqendrimin tim në jetë

Aty nga mesi i viteve 30, bota filloi të lëvizte përsëri drejt luftës globale. Ne jetonim në Klivlend, Ohajo, kur një Dëshmitar i Jehovait trokiti në derën tonë. Filluam të mendonim më seriozisht për atë që kishim mësuar kur ishim fëmijë. Vëllai im më i madh, Rasëlli, që ishte një tip veçanërisht serioz, qe i pari që u pagëzua. Unë isha pak më arrakat, e megjithatë, më 3 shkurt 1936 u pagëzova edhe unë. Çmueshmëria ime për atë që përfshinte dedikimi ndaj Jehovait po rritej dhe po mësoja të pranoja drejtimin e Jehovait. Po atë vit u pagëzuan edhe dy motrat e mia, Katrin dhe Gertruda. Që të katër filluam shërbimin e plotkohor si pionierë.

Por, kjo nuk do të thoshte se nuk mendonim kurrë për ndonjë gjë tjetër. I ngreha veshët menjëherë kur kunata më foli për një vajzë të bukur që quhej Ana, e cila «po fluturonte» nga gëzimi, pasi kishte dëgjuar për të vërtetën dhe do të vinte në mbledhjet që mbaheshin në shtëpinë tonë. Në atë kohë, Ana punonte si sekretare në një zyrë noterie dhe u pagëzua brenda një viti. Nuk e kisha pasur në plan të martohesha, por ishte e dukshme se Ana ishte 100 për qind për të vërtetën. Ajo dëshironte të angazhohej plotësisht në shërbim të Jehovait. Nuk ishte asnjëherë lloji i personit që thoshte: «A mund ta bëj këtë?» Në vend të kësaj, pyeste: «Cila është mënyra më e mirë në të cilën mund ta bëj këtë gjë?» Pas kësaj, ishte e vendosur ta çonte deri në fund një gjë. Kjo pikëpamje pozitive më tërhoqi. Veç kësaj, ishte shumë e bukur dhe akoma është e tillë. Ajo u bë gruaja ime dhe shumë shpejt u bë edhe partnerja në shërbimin e pionierit.

Stërvitje e vlefshme si pionierë

Kur ishim pionierë, mësuam sekretin për të qenë të kënaqur, qoftë kur kishim pak gjëra nga ana materiale, qoftë kur kishim me bollëk. (Filipianëve 4:11-13) Një ditë, aty nga mbrëmja, nuk na kishte mbetur më asgjë për të ngrënë. Të dy së bashku kishim vetëm pesë cent. Shkuam në një dyqan mishi dhe pyetëm shitësin: «A mund të na japësh pesë cent mortadelë?» Ai na pa dhe preu katër feta. Jam i sigurt se aty kishte më shumë sesa për pesë cent dhe kjo na siguroi njëfarë ushqimi.

Nuk ishte e pazakontë të takonim kundërshtim të ashpër në shërbimin që kryenim. Në një qytet afër Sirakuzës, Nju Jork, ishim në rrugë duke shpërndarë ftesa dhe kishim veshur pankarta për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për një mbledhje publike speciale. Dy burra trupmëdhenj më kapën dhe më keqtrajtuan. Njëri prej tyre ishte polic, por nuk kishte veshur uniformë dhe e shpërfilli kërkesën time për të më treguar distinktivin. Pikërisht në atë moment, u afrua Grent Sjutër nga Betheli i Bruklinit dhe tha se do të shkonim në degën e policisë për t’i zgjidhur gjërat. Pastaj ai i telefonoi zyrës së Shoqatës në Bruklin dhe që të dyve, mua dhe Anës, na u dhanë udhëzime që të dilnim prapë po atë ditë me pankarta dhe ftesa, për të siguruar një dëshmi për çështje gjyqësore. Siç pritej, na arrestuan që të dyve. Por, kur u thamë se do t’i hidhnim në gjyq për arrest të rremë, ata na lanë të lirë.

Ditën tjetër, një grup adoleshentësh sherrxhinj, të nxitur nga prifti, pushtuan sallën e asamblesë, kurse policia s’dukej asgjëkundi. Huliganët goditën dyshemenë e drunjtë me shkopinj bejzbolli, rrëzuan disa në auditor nga stolat dhe u ngjitën në platformë, ku nxorën flamurin amerikan dhe bërtitën: «Nderojeni! Nderojeni!» Pastaj, filluan të këndonin këngën «Beer Barrel Polka», (një këngë e njohur në Amerikë, në atë kohë). Na e prishën krejtësisht mbledhjen. Po e provonim personalisht se çfarë kishte ndër mend Jezui kur tha: «Sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.»—Gjoni 15:19.

Fjalimi publik ishte faktikisht transkriptimi i një fjalimi të mbajtur nga J. F. Rutherford, i cili në atë kohë ishte president i Shoqatës Watch Tower. Unë dhe Ana qëndruam edhe disa ditë në atë qytet, duke u ofruar njerëzve mundësinë që ta dëgjonin fjalimin në shtëpinë e tyre. Disa e pranuan këtë ofertë.

Vullnetarë për shërbimin në vend të huaj

Me kalimin e kohës u hapën mundësi të reja për shërbimin. Vëllai im, Rasëll dhe gruaja e tij, ishin ftuar që të merrnin pjesë si çift në klasën e parë të Shkollës së Galaadit, në vitin 1943 dhe ishin dërguar si misionarë në Kubë. Njëra nga motrat, Katrin, kishte qenë në klasën e katërt. Edhe ajo ishte caktuar në Kubë. Më vonë u caktua në Republikën Domenikane dhe më pas në Porto Riko. Po unë dhe Ana?

Kur dëgjuam për Shkollën e Galaadit dhe për faktin se Shoqata donte të dërgonte misionarë në vende të tjera, na pëlqeu mendimi që të viheshim në dispozicion për shërbimin në vend të huaj. Fillimisht, menduam të shkonim me iniciativën tonë, mbase në Meksikë. Por më vonë vendosëm se ndoshta do të ishte më mirë të prisnim dhe të linim që Shoqata të na caktonte, pasi të kishim ndjekur Shkollën e Galaadit. E kuptuam se ky ishte rregullimi që po përdorte Jehovai.

Na ftuan për të ndjekur klasën e katërt të Shkollës së Galaadit. Por pak kohë para se të fillonte klasa, N. H. Knorr, i cili në atë kohë ishte presidenti i Shoqatës Watch Tower, mori vesh më tepër për kufizimet që kishte Ana, për shkak të poliomielitit që kishte pasur në fëmijëri. Ai më foli për këtë dhe vendosi se nuk do të ishte e mençur të na dërgonte për të shërbyer në një vend tjetër.

Rreth dy vjet më vonë, ndërsa po merresha me punët parapërgatitore të kongresit, vëllai Knorr më takoi përsëri dhe më pyeti nëse ishim ende të interesuar për të ndjekur Galaadin. Më tha se nuk do të shkonim në caktim në ndonjë vend të huaj, pasi kishte diçka tjetër në mendje. Kështu, kur u regjistrua klasa e nëntë, më 26 shkurt 1947, ishim edhe ne mes studentëve.

Ditët që kaluam në Galaad ishin ditë të paharrueshme. Studimet ishin të pasura frymësisht. U lidhën miqësi të forta e të qëndrueshme. Por, angazhimi im me shkollën do të vazhdonte shumë më tepër se kaq.

Nga Uashingtoni në Galaad

Shkolla e Galaadit ishte ende relativisht e re. Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk i njihte mjaftueshëm objektivat e shkollës, kështu që ngriheshin shumë pyetje. Shoqata dëshironte të kishte një përfaqësues në Uashington D. C. Pikërisht aty na dërguan disa muaj pasi kishim marrë diplomimin nga Galaadi. Unë duhej të ndihmoja për të marrë viza për ata që ishin ftuar të vinin në Galaad nga vende të tjera dhe, gjithashtu, dokumente ligjore, me qëllim që të diplomuarit të dërgoheshin jashtë shtetit për veprën misionare. Disa zyrtarë ishin pa paragjykime dhe na ndihmonin. Të tjerët kishin ndjenja shumë të forta kundër Dëshmitarëve. Disa prej tyre, me pikëpamje të forta politike, pohonin se ne kishim lidhje me elementë që i konsideronin të padëshirueshëm.

Një burrë, të cilit i shkova në zyrë, na kritikoi ashpër sepse nuk nderojmë flamurin ose nuk shkojmë në luftë. Pasi kishte folur një copë herë duke bërtitur, në fund i thashë: «Dua që të dini, e në fakt ju e dini, se Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në luftë me asnjë njeri në botë. Ne nuk përzihemi me çështjet e botës. Nuk përzihemi me luftërat e tyre, me politikën e tyre. Jemi plotësisht asnjanës. Ne i kemi zgjidhur tashmë problemet që po hasni ju, kemi unitet në organizatën tonë. . . . Tani, çfarë kërkoni që të bëjmë? Doni që të kthehemi e të veprojmë sipas mënyrave tuaja dhe të hedhim poshtë tonat?» Pas kësaj, nuk tha më asgjë.

Dy ditë të plota në javë ishin caktuar për punën me zyrat e qeverisë. Përveç kësaj, shërbenim si pionierë specialë. Në atë kohë, kjo përfshinte bërjen e 175 orëve në shërbimin në fushë çdo muaj (më vonë kjo kuotë ndryshoi në 140 orë), kështu që shpesh ishim në shërbim deri në mbrëmje vonë. Ia kalonim shumë mirë. Kemi drejtuar shumë studime biblike me familje të tëra, që kanë bërë përparim të mirë. Unë dhe Ana kishim vendosur të mos bënim fëmijë, por, duke folur në kuptimin frymor, kemi pasur jo vetëm fëmijë, por edhe nipër e stërnipër. Sa na e gëzojnë zemrën ata!

Në fund të vitit 1948, mora një caktim tjetër. Vëllai Knorr shpjegoi se vëllai Schroeder, që ishte sekretari dhe një nga instruktorët e Shkollës së Galaadit, do të ishte i zënë me një punë tjetër të rëndësishme, kështu që m’u kërkua të jepja mësim në klasat e Galaadit kur të ishte e nevojshme. Me zemrën që më rrihte fort nga emocionet, më 18 dhjetor u ktheva përsëri në Galaad, në Lansingun Jugor, Nju Jork, së bashku me Anën. Fillimisht, qëndronim në Galaad vetëm disa javë çdo herë dhe pastaj ktheheshim në Uashington. Por, pas ca kohësh kaloja më shumë kohë në Galaad, sesa në Uashington.

Siç e përmenda më parë, ishte pikërisht kjo periudha kur u diplomua klasa e 21-të e Galaadit në stadiumin Jenki të Nju Jorkut. Kështu, duke qenë një prej instruktorëve, pata privilegjin të merrja pjesë në atë program diplomimi.

Shërbimi në Selinë Botërore

Më 12 shkurt 1955, për ne filloi një caktim tjetër shërbimi. U bëmë anëtarë të familjes Bethel në Selinë Botërore të organizatës së dukshme të Jehovait. Por, çfarë përfshinte kjo? Kryesisht përfshinte që të ishim të gatshëm të bënim çfarëdolloj pune që të na caktohej, duke marrë pjesë në projekte që kërkonin bashkëpunimin me të tjerët. Sigurisht, këtë gjë e kishim bërë edhe më përpara, por tani do të ishim pjesë e një grupi shumë më të madh, e familjes Bethel në Selinë Qendrore. E pranuam me gëzim këtë caktim të ri, si një dëshmi të drejtimit të Jehovait.

Pjesa kryesore e punës sime kishte të bënte me çështjet në lidhje me shërbimin e informacioneve. Për shkak të dëshirës për histori sensacionale dhe duke marrë informacione prej burimeve që kishin paragjykime, shtypi kishte shkruar disa gjëra jo fort të mira për Dëshmitarët e Jehovait. U përpoqëm ta përmirësonim këtë situatë.

Vëllai Knorr donte të ishte i sigurt se kishim mjaft punë për të bërë, kështu që kishim edhe caktime të tjera. Disa prej tyre vinin në punë stërvitjen që kisha marrë si agjent reklamash. Të tjera kishin të bënin me stacionin radiofonik të Shoqatës, WBBR. Duhej punuar në lidhje me filmat e prodhuar nga Shoqata. Sigurisht që historia teokratike ishte pjesë e kursit të Galaadit, por tani po filloheshin projekte të tjera për të njohur sa më shumë njerëz nga populli i Jehovait me hollësi të kësaj historie të organizatës teokratike të ditëve moderne dhe t’ua vinin në dispozicion këtë histori edhe publikut. Një aspekt tjetër i stërvitjes së Galaadit përfshinte oratorinë dhe duhej punë për t’u vënë në dispozicion të vëllezërve në kongregacione gjërat themelore të oratorisë. Pra, kishte mjaft punë për të bërë.

Rregullisht në Galaad

Në vitin 1961, duke pasur afër stërvitjen e mbikëqyrësve udhëtues dhe të personelit të degës, Shkolla e Galaadit u transferua në Bruklin, ku Shoqata Watch Tower ka zyrat e saj kryesore. Edhe një herë, isha prapë në klasë, por kësaj radhe jo si instruktor zëvendësues, por si një anëtar i rregullt i trupit pedagogjik. Çfarë privilegji! Jam shumë i bindur se Shkolla e Galaadit është një dhuratë nga Jehovai, një dhuratë që ka qenë për dobinë e të gjithë organizatës së tij të dukshme.

Në Bruklin, klasat e Galaadit kishin disa mundësi që studentët e klasave të mëparshme nuk i kishin pasur. Ata kishin më shumë vëllezër oratorë vizitues, kishin një shoqërim të ngushtë me Trupin Udhëheqës dhe një miqësi të zgjeruar me familjen Bethel. Gjithashtu, studentët kishin mundësi të stërviteshin në procedurat e zyrës, në veprimet e shtëpisë Bethel dhe në aspekte të ndryshme të punës në fabrikë.

Përgjatë viteve, numri i studentëve ndryshonte, e po kështu bënte numri i instruktorëve. Edhe vendndodhja e shkollës ka ndryshuar disa herë. Tani, shkolla gjendet në mjedise shumë të këndshme në Paterson, Nju Jork.

Puna me studentët

Çfarë gëzimi ka qenë t’u mësoj këtyre klasave! Në to ka të rinj që nuk janë të interesuar për të bërë gjëra në sistemin e vjetër. Ata lënë pas familjet, miqtë, shtëpinë e tyre dhe njerëzit që flasin gjuhën e tyre. Klima, ushqimi, gjithçka do të jetë e ndryshme për ta. Madje, ata as që e dinë se në cilin vend do të shkojnë, por synimi i tyre është që të jenë misionarë. Këta lloj njerëzish nuk ka nevojë t’i motivosh.

Kur hyja në klasë, qëllimi im ishte gjithnjë që t’i bëja studentët të ndiheshin të lirshëm. Askush nuk mëson mirë kur është në tension dhe i shqetësuar. Vërtet, unë isha instruktori, por e dija se çfarë do të thoshte të ishe student. Njëherë e një kohë edhe unë isha ulur në ato banka. Sigurisht, në Galaad ata studionin shumë dhe mësonin shumë gjëra, por unë doja që të kalonin edhe një kohë të gëzueshme.

E dija se kur të shkonin në caktimet e tyre, do t’u duheshin disa gjëra për t’ia dalë mbanë me sukses. Do t’u duhej besim i fortë. Do t’u duhej përulësi, shumë përulësi. Do t’u duhej të mësonin të shkonin mirë me njerëzit e tjerë, të pranonin situatat, të falnin lirisht. Do t’u duhej të vazhdonin të kultivonin frytet e frymës. Do t’u duhej, gjithashtu, të donin njerëzit dhe të donin punën të cilën ishin dërguar të bënin. Këto janë gjëra që përpiqesha t’ua theksoja vazhdimisht studentëve, ndërsa ishin në Galaad.

Nuk e di në të vërtetë se sa studentëve u kam dhënë mësim. Por e di se si ndihem për ta. Pasi kalonim pesë muaj së bashku në klasë, nuk mund të mos isha i lidhur fort pas tyre. Pastaj, kur i shihja që ngjiteshin në platformë dhe merrnin diplomën në ditën e diplomimit, e dija se e kishin përfunduar me sukses kursin dhe se së shpejti do të largoheshin prej këtej. Ishte sikur po ikte një pjesë e familjes sime. Si mund të mos i doje njerëz që ishin të gatshëm të mohonin vetveten dhe të kryenin veprën që këta të rinj do të bënin?

Vite më vonë, kur kthehen për të bërë një vizitë, i dëgjoj të tregojnë gëzimet që kanë pasur në shërbim dhe e di se janë ende në caktimet e tyre, duke bërë atë për të cilën ishin stërvitur. Si më bën të ndihem kjo gjë? E pra, ju them se është një ndjenjë e këndshme.

Duke parë drejt së ardhmes

Tani sytë më janë dobësuar dhe po përjetoj zhgënjimet që sjell kjo. Nuk jam më në gjendje të jap mësim në klasat e Galaadit. Fillimisht, ky ishte një rregullim i vështirë që m’u desh të bëja, por gjatë gjithë jetës sime kam mësuar t’i pranoj situatat dhe të jetoj me to. Shpesh mendoj për apostullin Pavël dhe për «gjembin në mish» që kishte ai. Tri herë u lut Pavli për t’u lehtësuar nga ky mundim, por Zotëria i tha: «Dashamirësia ime e pamerituar është e mjaftueshme për ty, sepse fuqia ime është bërë e përsosur në dobësi.» (2. Korintasve 12:7-10, BR) Pavli vazhdoi të jetonte me këtë problem. Nëse ai mund ta bënte, edhe unë duhej të përpiqesha. Edhe pse nuk mbaj më sesione mësimi, jam mirënjohës që mund t’i takoj ende studentët që shkojnë e vijnë çdo ditë. Disa herë kam mundësi të flas me ta dhe më gëzohet zemra kur mendoj për frymën e shkëlqyer që tregojnë.

Ajo që përmban e ardhmja është e mrekullueshme për ta medituar. Që tani po hidhet themeli i saj. Galaadi ka një pjesë të spikatshme në të. Pas mjerimit të madh, kur të hapen rrotullat, për të cilat flitet në Zbulesën 20:12, do të ketë një mijë vjet arsimim të mëtejshëm intensiv në udhët e Jehovait. (Isaia 11:9) Por nuk do të jetë ky fundi i njohurisë. Në të vërtetë është vetëm fillimi. Përgjatë përjetësisë, do të kemi më shumë për të mësuar rreth Jehovait dhe më shumë për të bërë, ndërsa shohim zbulimin e qëllimeve të tij. Jam plotësisht i bindur se Jehovai do t’i plotësojë të gjitha premtimet madhështore që ka bërë dhe dëshiroj të jem atje për të marrë pjesë në pranimin e direktivave të Jehovait për ne në atë kohë.

[Figura në faqen 26]

Diplomimi i Galaadit në stadiumin Jenki të Nju Jorkut, në vitin 1953

[Figura në faqen 26]

Gertruda, unë, Katrin dhe Rasëll

[Figura në faqen 26]

Duke punuar me N. H. Knorr (majtas) dhe M. G. Henschel, në organizimin e kongresit

[Figura në faqen 26]

Në studion e stacionit radiofonik WBBR

[Figura në faqen 29]

Në klasën e Galaadit

[Figura në faqen 31]

Me Anën, jo shumë kohë më parë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo