GJYSHI, GJYSHJA
Prindërit e babait ose të nënës. Termat «gjysh» dhe «gjyshe» gjenden rrallë në përkthimet e Biblës. Te 1 Mbretërve 15:10, 13, termi «gjyshe» është përkthim i së njëjtës fjalë që përdoret për «nënë» dhe me të drejtë është përkthyer «gjyshe», sepse Makaha ishte gjyshja e Asës dhe jo nëna e tij. (1Mb 15:1, 2, 8) Nga sa duket, Makaha ishte nëna-mbretëreshë edhe gjatë mbretërimit të Asës, derisa u hoq për shkak të idhujtarisë së saj. (1Mb 15:13) Në mënyrë të ngjashme, herë pas here fjala «atë» përdoret në vend të gjyshit ose të paraardhësit. (Zn 28:13; 2Sa 9:7) Gjithashtu, në vend të fjalës gjysh, përdoren edhe shprehje të tilla, si «atit të nënës sate» dhe «babait të nënës së tij».—Zn 28:2; Gjy 9:1.
Apostulli Pavël tha se ‘fëmijët ose nipat e mbesat duhet të vazhdojnë t’u japin prindërve e gjyshërve [gr., progónois] shpërblimin e duhur’. (1Ti 5:4) Një formë tjetër e së njëjtës fjalë (progónon) është përkthyer «paraardhësit» te 2 Timoteut 1:3. Gjyshja [gr., mámme] e Timoteut, Loida, lavdërohet për ‘besimin e saj pa asnjë hipokrizi’ dhe, me sa duket, ndihmoi në formimin e besimit e në rritjen frymore të Timoteut.—2Ti 1:5; 3:14, 15.