HAVOT-JAIRI
[fshatra me tenda të Jairit].
Fshatra që ndodheshin në territorin e Manaseut në lindje të Jordanit. Fjala «Galaad» hera-herës përdoret për mbarë territorin e Izraelit në lindje të Jordanit. (Js 22:9) Kjo mund të jetë arsyeja pse thuhet se Havot-Jairi ishte në Galaad (Nu 32:40, 41), ndërkohë që shkrime të tjera tregojnë se këto fshatra ndodheshin në Bashan.—Lp 3:14; Js 13:29, 30.
Thuhet se Jairi (pasardhës i Judës nga Hezroni, por që konsiderohet edhe pasardhës i Manaseut), një bashkëkohës i Moisiut, i pushtoi këto ‘fshatra me tenda’, me sa duket 23 gjithsej, dhe u vuri emrin e vet, Havot-Jair. (Nu 32:39-41; Lp 3:14; 1Kr 2:3, 21-23; shih JAIRI nr. 1.) Vite më pas, Havot-Jair quheshin 30 qytetet e 30 djemve të gjykatësit Jair. Sipas disa kritikëve, kjo bie ndesh me shpjegimin për origjinën e emrit Havot-Jair. Sidoqoftë, te Gjykatësit nuk thuhet se emri Havot-Jair u përdor për herë të parë në këtë periudhë të mëvonshme. Thjesht tregohet se, kur u shkrua ky libër, emri njihej akoma dhe përdorej për këto 30 qytete.—Gjy 10:3, 4.
Gjatë mbretërimit të Solomonit, fshatrat me tenda të Jairit përfshiheshin në një nga krahinat që administronte një nëpunës. (1Mb 4:7, 13) Gjashtëdhjetë qytetet që përmenden te 1 Mbretërve 4:13 e në shkrime të tjera (Js 13:30; 1Kr 2:23) ishin asokohe qytete të fortifikuara të viseve të Argobit në Bashan, e ndoshta nuk i përfshinin fshatrat e shumta. (Krahaso Lp 3:4, 5.) Kështu, ‘fshatrat me tenda’ të Jairit mund të mos ishin pjesë e 60 qyteteve, por kjo nuk dihet me siguri.
Në një moment të papërcaktuar të historisë së Izraelit, Havot-Jairin e pushtuan Geshuri dhe Siria.—1Kr 2:23.