HORITËT
Popull që banonte në malet e Seirit gjatë epokës së patriarkëve. Bibla i quan «bijtë e Seirit, horitit». (Zn 36:20, 21, 29, 30) Edomitët «ua morën pronat e i shfarosën dhe banuan në vendin e tyre».—Lp 2:12, 22.
Te Zanafilla 36:2, në tekstin masoretik, gjyshi i njërës prej grave të Esaut quhet ‘hiviti Zibeon’. Megjithatë, Zn 36 vargjet 20 dhe 24 tregojnë se ishte pasardhës i Seirit, horitit. Fjala «horit» mund të ketë thjesht kuptimin «banor shpelle», nga fjala hebraike ħor («guvë»). Në është kështu, Zibeoni do të ishte hivit dhe banor shpelle.
Te Josiu 9:7, Septuaginta greke nuk i quan gibeonitët «hivitë», por «horeanë» (horitë). Megjithatë duket qartë se ky është një gabim, pasi gibeonitët i përkitnin njërit prej shtatë fiseve kananite që duheshin shfarosur (kurse horitët jo). Në tekstin masoretik thuhet «hivitë».—Js 9:22-27; Lp 7:1, 2.
Hurrianët. Sot shumë studiues mendojnë se horitët ishin një popull që ata e quajnë hurrianë. Ky përfundim bazohet kryesisht në ngjashmëritë gjuhësore, sidomos në ngjashmëritë mes emrave të përveçëm të pllakave të lashta, të zbuluara kohët e fundit në një zonë të gjerë, që shtrihet nga Turqia e sotme deri në Siri dhe Palestinë. Kështu, sipas tyre, «hurrianët» morën emrin «horitë». Por ja çfarë thotë E. A. Spaiseri në veprën The World History of the Jewish People (1964, vëll. 1, f. 159).
Së pari, ai parashtron këtë argument: «Edhe jebusitët e Biblës ishin hurrianë të fshehur. Ata ishin të huaj nga origjina (Gjyk. 19:12), siç e vërteton emri i jebusitit Awarnah (II Sam. 24:16, Kethib). Emri i një sundimtari të shekullit të 14-të në Jerusalem, pra në Jebus, përmbante elementin autentik hurrian Hepa. Pra, edhe jebusitët, edhe hivitët—dy nga kombet e shquara para pushtimit izraelit—ishin thjesht nënndarje të grupit mjaft të përhapur hurrian.»
Mirëpo pastaj shton: «Gjithsesi, përfundimi i mësipërm duhet ndrequr tani në një aspekt të rëndësishëm. Ky ndryshim i nevojshëm nuk ia ul aspak vlerën vendit që zinin hurrianët vendës në kohët e hershme biblike, por ndikon në lidhjen automatike që bëhet mes hurrianëve dhe horitëve. . . . Nuk ka as edhe një dëshmi arkeologjike që në Edom a në Transjordani të ketë ekzistuar ndonjë vendbanim hurrian. Si rrjedhojë, termi biblik Hori—pak a shumë si termi Kush—duhet të jetë përdorur dikur në dy kuptime të ndryshme që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën.»
Prandaj, edhe pse duan të përdorin një emër që s’gjendet në Bibël për një popullsi mjaft të përhapur që, sipas tyre, përfshinte horitët, hivitët dhe jebusitët, studiuesit e pranojnë, për shembull, se nuk ka asnjë dëshmi që në Edom, ku banonin horitët e Biblës, të ketë jetuar një popullsi hurriane. Kështu, kur Bibla i quan «horitë» banorët e Seirit të periudhës para edomitëve, e përdor këtë emër vetëm për grupin që jetonte në Seir.