HIVITËT
Popull me prejardhje nga Kanaani, bir i Kamit. (Zn 10:6, 15, 17; 1Kr 1:13, 15) Në epokën e patriarkut Jakob, hivitët banonin në qytetin e Sikemit. Bijtë e Jakobit, të udhëhequr nga Simeoni dhe Levi, vranë çdo mashkull dhe plaçkitën qytetin, pasi Sikemi, biri i prijësit Hamor, u kishte përdhosur të motrën, Dinën.—Zn 34:1-29.
Kur Izraeli hyri në Tokën e Premtuar, hivitët ishin një nga shtatë kombet kananite që Perëndia kishte premtuar se do t’i dëbonte para izraelitëve. (Da 3:8, 17; 13:5; 23:23, 28; 33:2; 34:11) Ato kombe ishin përshkruar si më të mëdha e më të fuqishme se Izraeli. (Lp 7:1) Moisiu i urdhëroi izraelitët që t’i shfarosnin e të mos linin gjallë asnjë kur të merrnin qytetet, për shkak të praktikave të tyre të pështira dhe perëndive të rreme. Në rast të kundërt, ato kombe do të ishin një lak dhe do të bënin që Izraeli të humbte miratimin e Perëndisë.—Le 18:27, 28; Lp 18:9-13; 20:15-18.
Bibla tregon se Josiu i rrafshoi qytetet e atyre kombeve. (Js kap. 10, 11) Hivitët që banonin «rrëzë [malit të] Hermonit, në Mizpah» ishin ndër fiset që u bashkuan me mbretërit kananitë kundër Josiut, me urdhër të Jabinit, mbretit të Hazorit. (Js 11:1-3) Hivitët renditen mes atyre që luftuan kundër Izraelit dhe u mundën. (Js 9:1, 2; 12:7, 8; 24:11) Megjithatë, një grup hivitësh u kursye. (Js 9:3, 7) Ata ishin gibeonitët, që me sa duket përfaqësonin edhe tri qytete të tjera hivite, veç Gibeonit. Vetëm ata iu frikësuan Jehovait, duke pranuar se ai luftonte për Izraelin. Me anë të një dredhie, arritën të bënin një besëlidhje me krerët e Izraelit, kështu që nuk u vranë, por u bënë shërbëtorë të Izraelit për punë të rëndomta. (Js 9:1-15, 24-27) Ky është një shembull i plotësimit të mallkimit të Noesë kundër Kanaanit, pasi gibeonitët dhe bashkatdhetarët e tyre, paçka se nuk u shfarosën, u bënë skllevër të semitëve.—Zn 9:25-27.
Izraeli e mbajti me besnikëri besëlidhjen me ata hivitë, dhe Jehovai tregoi se e miratonte këtë duke luftuar në mbrojtje të Gibeonit kundër kombeve kananite përqark, të cilat e sulmuan qytetin për shkak të besëlidhjes me Izraelin. (Js 10:1-14) Që nga ajo kohë, gibeonitët banuan paqësisht mes Izraelit. (2Sa 21:1-6) Te 2 Samuelit 21:2 ata quhen ‘amoritë’, me sa duket ngaqë termi ‘amorit’ përdorej shpesh për kombet e Kanaanit në përgjithësi, pasi amoritët ishin një nga fiset më të fuqishme. (Shih AMORITËT.) Në kohën e pushtimit të Josiut, ata hivitë të miratuar banonin në qytetin e Gibeonit, që ndodhej jo larg Jerusalemit, në veriperëndim të tij, si edhe në Kefirah, Beerot dhe Kiriat-Jearim. Gibeoni përshkruhet si ‘një qytet i madh, si qytet mbretëror, më i madh se Ai dhe të gjithë burrat i kishte të fuqishëm’.—Js 10:2; 9:17.
Pas vdekjes së Josiut, Izraeli jo vetëm nuk i dëboi më kombet kananite siç urdhëroi Perëndia, por madje bëri krushqi me to. Prandaj, Bibla thotë: «Këto janë kombet që la Jehovai, që me anë të tyre ta vinte në provë Izraelin . . . Pesë sundimtarët e aleancës filistine, tërë kananitët, sidonitët dhe hivitët që banonin në malet e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit . . . dhe [izraelitët] filluan t’u shërbenin perëndive të tyre.»—Gjy 3:1-6.
Sipas këtyre vargjeve, hivitët banonin në vargmalin e Libanit, deri në pjesën më veriore të Tokës së Premtuar. (Nu 34:8; Js 11:1, 3) Kur bënë regjistrimin e popullit me urdhër të mbretit David, Joabi dhe burrat e tij «vajtën në fortesën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e hivitëve». (2Sa 24:7) Me sa duket Tiri ndodhej tamam nën kufirin jugor të territorit hivit.
Gjatë programit të tij kombëtar të ndërtimit, Solomoni i vuri kananitët, përfshirë edhe hivitët, që të punonin si skllevër nën drejtimin e mbikëqyrësve izraelitë. Kjo ishte një përmbushje e mëtejshme e mallkimit profetik të Noesë kundër Kanaanit.—1Mb 9:20-23; 2Kr 8:7-10.
Hivitët, horitët dhe hurrianët. Te Zanafilla 36:2 thuhet se Zibeoni, gjyshi i njërës nga gratë e Esaut, ishte hivit. Mirëpo në Zn 36 vargjet 20 dhe 24, ai renditet ndër pasardhësit e Seirit, horitit. Fjala «horit» ndoshta vjen nga fjala hebraike ħor («guvë») dhe mund të ketë thjesht kuptimin «banor shpelle». Kjo do të eliminonte çdo mospërputhje në dukje mes Zanafillës 36:2 dhe vargjeve 20, 24.—Shih HORITËT.
Arkeologët kanë zbuluar shkrime të lashta që disa studiues i interpretojnë si provë se në rajonet e Armenisë, Anadollit, Sirisë dhe në disa vise të Palestinës banonte qysh në epokën patriarkale një popull që quheshin hurrianë. Studiuesit mendojnë se ai popull përbëhej nga hivitët, horitët dhe jebusitët. Sipas tyre, termi «horit» është njësoj me «hivit», dhe hurrianët morën, në njëfarë mënyre, emrin hivitë. Kjo teori bazohet kryesisht në afritë gjuhësore, sidomos mes emrave të përveçëm. Si rrjedhojë, në përgjithësi ata mendojnë se fjala «horit» nuk do të thotë «banor shpelle», por ka lidhje me fjalën «hurrian».
Gjithsesi, Bibla duket se bën një dallim të qartë mes këtyre fiseve dhe nuk e përmend fjalën «hurrian». Prandaj është më e mençur të presim dëshmi të tjera, para se ta pranojmë si përfundimtar këtë përcaktim.