JAFETI
[ai të dhëntë një hapësirë të gjerë].
Biri i Noesë; vëllai i Semit dhe i Kamit. Megjithëse zakonisht renditet i fundit, duket që Jafeti ka qenë më i madhi i tre djemve, pasi në hebraisht, sipas NW, vargu i Zanafillës 10:21 thotë: ‘Jafeti, më i madhi.’ Megjithatë, sipas disa përkthyesve, vargu në hebraisht këtu i referohet Semit, si ‘vëllai më i madh i Jafetit’. (DSF; shih edhe ECM, Kris.) Nëse Jafeti ishte djali më i madh i Noesë, ai duhet të ketë lindur rreth vitit 2470 p.e.s.—Zn 5:32.
Jafeti dhe gruaja e tij ishin dy ndër tetë njerëzit që hynë në arkë dhe mbijetuan nga Përmbytja. (Zn 7:13; 1Pj 3:20) Ata nuk patën fëmijë deri pas Përmbytjes. Më pas, u lindën shtatë djem: Gomeri, Magogu, Madaiu, Javani, Tubali, Mesheku dhe Tirasi. (Zn 10:1, 2; 1Kr 1:5) Nga këta bij, si dhe nga disa nipër, «erdhi popullsia e ishujve të kombeve [«popujve që jetojnë gjatë bregut të Detit», ECM ], që u përhap nëpër vende të ndryshme, secila sipas gjuhës së vet, sipas familjeve dhe sipas kombeve të veta». (Zn 10:3-5; 1Kr 1:6, 7) Historikisht, Jafeti ishte stërgjyshi i degës ariane ose indo-evropiane (indo-gjermanike) të familjes njerëzore. Emrat e bijve dhe të nipërve të tij përmenden në tekste të hershme historike në lidhje me popuj dhe fise që banonin kryesisht në veri dhe në perëndim të Gjysmëhënës Pjellore. Duket se ata janë shpërndarë nga Kaukazi në drejtim të lindjes deri në Azinë Qendrore dhe në drejtim të perëndimit mes për mes Azisë së Vogël deri në ishujt dhe brigjet e Evropës, e ndoshta deri në Spanjë. Sipas traditave arabe, njëri nga bijtë e Jafetit ishte edhe stërgjyshi i popujve kinezë.—Shih TABELËN dhe HARTËN, vëll. 1, f. 329 në botimin anglisht.
Falë veprimit të tij plot respekt bashkë me të vëllanë, Semin, kur Noeja ishte dehur, Jafeti mori bekimin e të atit. (Zn 9:20-27) Në atë bekim, Noeja i kërkoi Perëndisë që ‘t’i jepte një hapësirë të gjerë [heb., jáft]’ Jafetit. Kjo shprehje në hebraisht vjen nga e njëjta rrënjë si emri Jafet (heb., Jéfeth ose Jáfeth) e, me sa duket, tregon që domethënia e emrit të Jafetit do të përmbushej në kuptim të mirëfilltë dhe se pasardhësit e tij do të shpërndaheshin në një zonë të gjerë. Disa mendojnë që shprehja «banoftë në tendat e Semit», tregon marrëdhëniet paqësore mes pasardhësve të Jafetit dhe të Semit. Megjithatë, përderisa historia nuk dëshmon për një lidhje veçanërisht paqësore mes tyre, ndoshta mund t’i referohej në mënyrë profetike premtimit që u bëri më vonë Perëndia pasardhësve të Semit, si Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, se falë «farës» së tyre do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës (ku përfshihen edhe pasardhësit e Jafetit). (Zn 22:15-18; 26:3, 4; 28:10, 13, 14; krahaso Ve 10:34-36; Ga 3:28, 29.) Fraza sipas së cilës Kanaani ‘do të bëhej skllav’ i pasardhësve të Jafetit, përmbushet kur vendi i Kanaanit bie fillimisht nën darën e Perandorisë Medo-Perse (fuqi jafetike), dhe më vonë kur pushtohet nga grekët dhe romakët, ku përfshihet edhe pushtimi i Tirit dhe i Sidonit, që ishin bastione të kananitëve.