KEDESHI
[vend i shenjtë].
1. Qytet në jug të Judës (Js 15:21, 23), ndoshta i njëjti vend që quhej Kadesh-Barnea.—Shih KADESHI, KADESH-BARNEA.
2. Qytet i Neftalit që iu dha gershonitëve e u caktua si qytet strehimi. (Js 20:7; 21:32, 33; 1Kr 6:71, 76) Për shkak të vendndodhjes quhej edhe ‘Kedesh-Neftal’ (Gjy 4:6) dhe ‘Kedeshi në Galile’. (Js 20:7) Kedeshi, ku me sa duket banonte gjykatësi Barak, shërbeu si pikë mobilizimi për 10.000 luftëtarët e tij nga Neftali dhe Zabuloni para se të korrnin fitoren kundër ushtrisë kananite me në krye Siserën. (Gjy 4:6, 10) Shekuj më vonë, qytetin e pushtoi mbreti i Asirisë, Tiglath-Pileseri III, gjatë mbretërimit të Pekahut në Izrael (rr. 778-759 p.e.s.).—2Mb 15:29.
Kedeshi mendohet se ndodhej në Tell-Kades (Tel-Kedesh), kodrinë nga ku shihet një rrafshinë e vogël pjellore rreth 20 km në jugperëndim të Danit.
3. Vend në Isakar që iu caktua «bijve të Gershomit» (1Kr 6:71, 72), me sa duket ‘Kishioni’ i përmendur në listën paralele te Josiu 21:28. Është hedhur ideja se vendndodhja mund të jetë Tell-Abu-Kedeisi (Tel-Kedeshi), rreth 4 km në juglindje të Megidos. Kjo duket se përkon me Josiun 12:21, 22 që tregon se Kadeshi mund të ndodhej afër Megidos dhe Jokneamit. Meqë Baraku e mposhti Siserën në rajonin e Megidos (Gjy 5:19), ka të ngjarë që pranë këtij Kedeshi (dhe jo Kedeshit nr. 2) Jaela të ketë vrarë në tendën e saj kreun e ushtrisë kananite, Siserën.—Gjy 4:11, 17, 21.