MADMANAHU
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «pleh»].
1. Ky emër del në listën e pasardhësve të Judës nga Kalebi. Shkrimet thonë se konkubina e Kalebit, Makaha, lindi «Shaafin, atin e Madmanahut». (1Kr 2:49) Megjithatë, shumica e studiuesve mendojnë se termi «ati» këtu do të thotë «themeluesi» dhe se Madmanahu në këtë varg përkon me qytetin ku do të ndalemi më poshtë, të cilin duhet ta ketë themeluar ose rindërtuar Shaafi pasi u zaptua. Vlen të përmendet se emrat Kiriat-Jearim dhe Betlehem shfaqen në një kontekst të ngjashëm në vargjet vijuese.—1Kr 2:50, 54.
2. Qytet në pjesën jugore të territorit të Judës. (Js 15:21, 31) Ndonëse emri i lashtë mund të ruhet tek emri i Um-Deimnehut, në atë vend nuk gjenden rrënoja të përshtatshme. Kohët e fundit, studiuesit mbështetin idenë se ndodhej në Kirbet-Tatrit, rreth15 km në verilindje të Beer-Shebës. Nga krahasimi i Josiut 15:31 me listat paralele të Josiut 19:5 dhe të 1 Kronikave 4:31, kuptohet se është Beth-Markaboti. Beth-Markaboti (që do të thotë «shtëpi e karrocave») mund të ketë qenë emër dytësor i Madmanahut.—Shih BETH-MARKABOTI.