BETH-MARKABOTI
[shtëpi e karrocave].
Një nga qytetet-enklava të Simeonit në territorin e fisit të Judës. (Js 19:1, 5; 1Kr 4:31) Në tregimin paralel për qytetet që iu caktuan fillimisht Judës (Js 15:31), Madmanahu ka të ngjarë të ketë zëvendësuar Beth-Markabotin. Nëse Beth-Markaboti ishte Madmanahu, atëherë duhej të ndodhej buzë rrugës kryesore nga Beer-Sheba për në Jerusalem e në vende të tjera në veri, dhe emri Beth-Markabot mund të ketë qenë emër dytësor i Madmanahut. Emri i qytetit të renditur pas Beth-Markabotit, Hazar-Susah (ose Hazar-Susim), do të thotë «oborr (vendbanim) i pelës (ose kuajve)». Disa hedhin idenë se të dyja këto ishin vendqëndrime dhe pika ku mbaheshin kuajt e karrocat që përshkonin udhët e lashta Palestinë-Egjipt. Karrocat përdoreshin edhe për luftë (Gjy 1:19), dhe Beth-Markaboti mbase ishte qytet i fortifikuar i kananitëve, prej nga karrocat e tyre të luftës mund të shkonin në pllajat përqark Beer-Shebës.—Shih MADMANAHU nr. 2.