MARA
Edhe pse në shqip ekziston vetëm kjo formë e emrit, në hebraisht shkruhet në dy mënyra.
1. [E hidhur.] Vejusha e Elimelekut u tha grave të tjera ta thërritnin Mara për të shprehur hidhërimin që ndiente për humbjen e burrit dhe dy bijve të saj, Mahlonit e Kilionit. Naomi kishte ikur nga Betlehemi me burrin dhe dy djemtë (Ru 1:1, 2), por u kthye nga Moabi vejushë e trishtuar dhe pa fëmijë. Në atë kohë, gratë e Betlehemit, mikeshat e saj të vjetra, pyesnin: «Naomi është kjo?!» E dërrmuar nga hidhërimi, ajo ua kthente: «Mos më thërritni Naomi [që do të thotë ‘kënaqësia ime’]. Më thërritni Mara [që do të thotë ‘e hidhur’], sepse i Plotfuqishmi ma ka bërë jetën shumë të hidhur. Kur ika isha plot, por Jehovai më bëri të kthehem duarbosh.»—Ru 1:19-21.
2. [Hidhësi.] Një nga fushimet e para të Izraelit në gadishullin e Sinait. U quajt kështu ngaqë uji që gjetën atje kishte shije të keqe. (Da 15:23; Nu 33:8) Edhe pse kish kaluar vetëm pak kohë që kishin shpëtuar nga egjiptianët në Detin e Kuq, izraelitët nuk treguan besim e filluan të murmuritnin kur panë se nuk mund ta pinin ujin e Marës. Atëherë, me urdhër të Jehovait, Moisiu hodhi në ujë një pemë të vogël dhe uji u bë i ëmbël. Bibla nuk specifikon se ç’lloj peme ishte, prandaj nuk ka asnjë bazë për ta përcaktuar. Sigurisht, Jehovai mund t’i ketë treguar Moisiut një lloj peme të veçantë që kishte veti natyrore ta bënte ujin të pijshëm. Megjithatë, s’ka nevojë të kërkohet një shpjegim shkencor ose natyror pasi uji pa dyshim u bë i mirë me anë të një mrekullie.—Da 15:23-25; krahaso 2Mb 2:19-22; 4:38-41.
Situatën në Mara Jehovai e përdori që t’i vinte në provë izraelitët e të shihte nëse kishin besim tek aftësia e tij që të kujdesej për ta. Meqë uji i keq mund të shkaktojë sëmundje (2Mb 2:19), kur e bëri ujin të pijshëm, Jehovai tregoi se kishte aftësinë t’i mbronte izraelitët nga sëmundjet që hoqën egjiptianët. ‘Rregulli’ që u mësoi Jehovai në këtë rast izraelitëve ishte: bindja ndaj tij, Perëndisë së tyre, do t’i ruante nga sëmundjet me të cilat goditi egjiptianët.—Da 15:25, 26.
Në përgjithësi, mendohet se Mara është ʽEin-Havara që ndodhet 80 km në jug-juglindje të Suezit të sotëm, vetëm pak kilometra larg Detit të Kuq.