KTHIMI I MËRGIMTARËVE NGA BABILONIA
NË VITIN 607 p.e.s., vendi dikur i begatë i Judës u shndërrua në «një vend të shkretë, pa asnjë banor», pasi robërit judenj i çuan në mërgim në Babiloni, kurse ata që mbetën, ikën në Egjipt. (Jr 9:11) Por, me dashamirësinë e tij, Perëndia nuk do ta linte përgjithnjë në mërgim popullin e vet. Ai kishte parathënë se ‘do t’i shërbenin shtatëdhjetë vjet mbretit të Babilonisë’, e pas kësaj do të çlironte një mbetje besnike. (Jr 25:11, 12; 29:10-14) As fuqia botërore babilonase, që dukej e pathyeshme, nuk do ta ndalte dot përmbushjen e këtij qëllimi të Perëndisë. Kthimi i mërgimtarëve judenj flet për saktësinë e përsosur me të cilën plotësohen profecitë e Jehovait.
Pa përfunduar ende 70 vitet e mërgimit, Babilonia ra para ushtrive pushtuese të mbretit pers Kirit, në vitin 539 p.e.s. Pastaj, vitin e parë si sundimtar i Babilonisë, Kiri nxori një dekret që u çelte udhën mërgimtarëve judenj të ktheheshin në Jerusalem. (Ezd 1:1-4) Një mbetje, që ndoshta numëronte 200.000 veta (me burra, gra e fëmijë), u nis për udhë dhe mbërriti në Judë në vitin 537 p.e.s. (Ezd 1:5–3:1; 4:1) Kështu, periudha 70-vjeçare e shkretimit përfundoi tamam në kohë!
Mirëpo, jo të gjithë të mërguarit u kthyen në atë moment. Një grup tjetër u kthye në vitin 468 p.e.s. bashkë me priftin Ezdra, i cili çoi në Jerusalem dhurata për tempullin. (Ezd 7:1–8:32) Më vonë, në vitin 455 p.e.s., Nehemia u nis nga Shushani për të rindërtuar muret e Jerusalemit. (Ne 2:5, 6, 11) Shkrimet nuk tregojnë gjë për rrugën e saktë që ndoqën mërgimtarët kur u kthyen. Në hartë jepen disa rrugë të mundshme.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
[Figura në botimin e shtypur]
Cilindri i Kirit, ku flitet për politikën e Kirit që riatdhesonte robërit dhe i ndihmonte në rindërtimin e tempujve të tyre