MERIBA
[grindje].
1. Vend në afërsi të Refidimit, vendfushimit izraelit në shkretëtirë. Atje, me anë të një mrekullie, Jehovai u siguroi ujë izraelitëve kur Moisiu goditi shkëmbin në Horeb me shkopin e tij. Pastaj Moisiu e quajti atë vend «Masah» (që do të thotë «vënie në provë; sprovë») dhe «Meriba» (që do të thotë «grindje»). Këta emra shërbenin për të kujtuar se Izraeli u grind me Moisiun dhe e vuri në provë Perëndinë ngaqë nuk kishte ujë për të pirë.—Da 17:1-7.
2. Emri «Meribë» iu vu më vonë edhe një vendi afër Kadeshit, ngaqë edhe këtu Izraeli u grind me Moisiun dhe me Jehovain për shkak të mungesës së ujit. (Nu 20:1-13) Ndryshe nga vendi pranë Refidimit, ku izraelitët fushuan për më pak se dy muaj pasi dolën nga Egjipti (Da 16:1; 17:1; 19:1), kjo Meribë nuk u quajt edhe Masah. Ndonjëherë Shkrimet e dallojnë këtë vend nga tjetri duke thënë «ujërat e Meribës» (Ps 106:32) ose ‘ujërat e Meribës në Kadesh’. (Nu 27:14; Lp 32:51) Megjithatë, kur te Psalmi 81:7 thuhet se Jehovai vuri në provë Izraelin tek «ujërat e Meribës», mund të jetë fjala për atë që ndodhi në Meribën afër Refidimit.—Krahaso Lp 33:8.
Moisiu dhe Aaroni nuk e shenjtëruan Jehovain për mrekullinë që kreu kur u siguroi ujë në Meribë, në zonën e Kadeshit. Prandaj e humbën privilegjin për të hyrë në Tokën e Premtuar. Kjo ngjarje duket se ndodhi vitin e 40-të të endjes së Izraelit në shkretëtirë.—Nu 20:1, 9-13, 22-28; 33:38, 39.