REFIDIMI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «përhap; shpalos»; ose «freskoj»].
Një nga vendet ku fushuan izraelitët gjatë udhëtimit nga Deti i Kuq për në malin e Sinait. Pasi lanë shkretëtirën e Sinit, ata e ngritën kampin në Dofkah, pastaj në Alush dhe në fund në Refidim. (Da 17:1; Nu 33:12-14) Ngaqë atje nuk kishte ujë, populli u ankua dhe u grind me Moisiun. Sipas udhëzimit të Perëndisë, Moisiu shkoi bashkë me disa pleq te ‘shkëmbi në Horeb’ (siç duket, rajoni malor i Horebit, jo mali Horeb) dhe goditi një shkëmb me shkopin e vet. Uji që rrodhi, me sa duket, arriti deri te populli që fushonte në Refidim.—Da 17:2-7.
Në Refidim amalekitët sulmuan izraelitët por, me Josiun në krye, populli i Perëndisë i mposhti sulmuesit. (Da 17:8-16) Nga vendi ku ndodhet ngjarja në tregimin biblik kuptohet se izraelitët ishin në Refidim kur vjehrri i Moisiut i solli atij Ziporën e dy bijtë dhe e këshilloi të zgjidhte krerë që ta ndihmonin të gjykonte popullin.—Da 18:1-27.
Vendndodhja e Refidimit nuk dihet me saktësi. Gjeografët kanë propozuar vende të ndryshme, por të përcaktuara në bazë të kuptueshmërisë së tyre për rrugën që përshkuan izraelitët nga shkretëtira e Sinit deri në malin e Sinait. Shumë gjeografë të kohës sonë mendojnë se Refidimi ishte në Vadi-Refajed, pak më në veriperëndim të vendit ku sipas traditës judaike duhej të ishte mali i Sinait. Ngjitur me vadin gjendet një kodër me të njëjtin emër, mbi të cilën Moisiu mund të ketë qëndruar me krahët e ngritur gjatë betejës me amalekitët.