MESHAKU
Emri babilonas që kreu i zyrtarëve të oborrit të Nabukodonosorit i vuri shokut të Danielit, Mishaelit. Kuptimi i atij emri të ri nuk dihet me siguri, por ndoshta kishte lidhje me Akun, një perëndi sumerian.
Mban integritetin në rini. Meshakun (Mishaelin) e çuan rob nga Jerusalemi në Babiloni në vitin 617 p.e.s. bashkë me Jehojakinin dhe të tjerë. Mishaeli, Azariahu, Hananiahu dhe Danieli u stërvitën për tre vjet në oborrin mbretëror të Babilonisë, e në fund të asaj periudhe ua kalonin edhe këshilltarëve të mbretit. (2Mb 24:1, 6, 8, 12-16; Dn 1:1-7, 17-20) Gjatë asaj kohe, përkushtimi i katër të rinjve ndaj Perëndisë mbeti i palëkundur; madje nuk pranuan as të ndoteshin me ushqimet e shijshme të mbretit.—Dn 1:8-16.
Ja tri arsye të mundshme pse ata i konsideronin ‘të ndotura’ ushqimet e shijshme të mbretit: (1) babilonasit hanin kafshë të papastra sipas Ligjit të Moisiut; (2) ata nuk kishin merak që t’ua hiqnin gjakun siç duhej kafshëve, e ndoshta disa kafshë mbyteshin; (3) shpesh paganët ua flijonin së pari kafshët perëndive të tyre dhe e konsideronin ngrënien e atij mishi pjesë të adhurimit të këtyre perëndive.—Dn 1:8; krahaso 1Ko 10:18-20, 28.
Më vonë, kur Danieli kishte një post të lartë qeveritar në oborrin e mbretit, Nabukodonosori, me kërkesë të Danielit, emëroi Meshakun, Shadrakun dhe Abednegon në krye të administratës së provincës së Babilonisë.—Dn 2:48, 49.
Nuk pranon të përkulet para shëmbëlltyrës. Meshaku dhe dy shokët e tij i ranë sërish në sy mbretit kur, në prani të gjithë funksionarëve të tjerë, nuk pranuan të përkuleshin para shëmbëlltyrës madhështore që kishte bërë Nabukodonosori. Me besim të plotë te Jehovai, ata i thanë mbretit se nuk do t’u shërbenin perëndive të tij. Edhe sikur Perëndia i tyre të mos i shpëtonte nga furra, ata nuk do të bënin kompromis për t’u çliruar, por do të mbanin integritetin ndaj Tij. (Te He 11:34, 35 përmenden ata që «i qëndruan forcës së zjarrit» dhe që «nuk pranuan të çliroheshin nëpërmjet ndonjë shpërblese, që të fitonin një ringjallje më të mirë».) Për besimin që treguan, Jehovai i mbrojti me anë të engjëllit të tij. Në fakt, kur dolën nga furra, «as nuk mbanin erë të djegur». Nabukodonosori—që ishte xhindosur aq shumë, sa kishte urdhëruar ta nxehnin furrën shtatë herë më tepër se zakonisht para se të hidhnin atje tre burrat—tani e pranoi që Perëndia i tyre ishte shpëtimtar. Veç kësaj, nxori urdhrin se kushdo që thoshte ndonjë gjë të gabuar për Perëndinë e Meshakut, të gjymtohej dhe t’i kthehej shtëpia në nevojtore publike.—Dn 3:1-30.