MIGDOLI
[kullë].
1. Një vend në Egjipt që përdoret si pikë referimi për të treguar fushimin e fundit të Izraelit në Pihahirot, para se të kalonte Detin e Kuq. Ata duhej të fushonin «në Pihahirot, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit». (Da 14:2; Nu 33:5-8) Në përgjithësi, studiuesit mendojnë se Migdoli ka të ngjarë të jetë shqiptimi egjiptian i fjalës hebraike miĝdál që do të thotë «kullë» dhe, pa dyshim, i referohet një poste ushtarake ose një kulle vrojtimi në kufirin egjiptian. Sidoqoftë, ka prova se përgjatë këtij kufiri kishte disa migdolë; edhe sot ekzistojnë tre fshatra të ndryshme që quhen Mashtul, forma e tanishme në gjuhën egjiptiane (me prejardhje koptike) e Migdolit. (Shih edhe nr. 2.) Një nga Pllakat e Amarnës përmend njëfarë Ma-ag-da-lí, por nuk tregon asgjë për vendndodhjen. Meqë vendndodhja e Pihahirotit dhe Baal-Zefonit nuk njihen sot për sot, edhe vendndodhja e Migdolit nuk dihet me siguri. Disa mendojnë se ka të ngjarë të ketë qenë një vend në lartësitë e Jebel-ʽAtakahut, nga ku shihej skaji verior i gjirit të Suezit. Edhe pse sot nuk ekziston asnjë provë që të lidhë këtë vend me emrin e Migdolit, është e qartë se duhet të ketë qenë një vend strategjik për një kullë vrojtimi ose postë kufitare.
2. Migdoli që përmendin profetët Jeremia dhe Ezekiel rreth 900 vjet pas Daljes. Ndonëse mund të jetë i njëjti me atë që shqyrtuam më sipër, shumica e studiuesve besojnë se bëhet fjalë për një Migdol tjetër egjiptian.
Profeti Ezekiel paratha se Egjipti do të shkretohej, me sa duket nga Babilonia, «nga Migdoli deri në Sienë, madje, deri në kufi me Etiopinë». (Ezk 29:10; 30:6) Përderisa Siena ndodhet në skajin jugor të Egjiptit të lashtë, duket se ky Migdol ishte në skajin verior. Në këtë mënyrë, ky përshkrim është i ngjashëm me shprehjen e njohur «nga Dani deri në Beer-Shebë», që përdorej për Palestinën. (Gjy 20:1) Pas rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., refugjatët judenj u vendosën në Migdol, Tafnes, Nof (Memfis) dhe në vendin e Patrosit. Sidoqoftë, Migdoli dhe vendet e tjera do të shihnin me sytë e tyre ‘shpatën gllabëruese’ të Nabukodonosorit, mbretit babilonas.—Jr 44:1; 46:13, 14.
Zakonisht, këtë Migdol e lidhin me një fortesë, për të cilën në tekstet hieroglife egjiptiane thuhet se ruante hyrjet nga verilindja. Itinerari Antonin (Itinerarium Provinciarum Antonini Augusti) i shekullit të tretë të e.s. flet për një vend të quajtur Magdolo pranë Pelusiumit. Ky i fundit gjendet në bregdetin e Mesdheut dhe mund të quhet si porta hyrëse për në Egjipt, për ata që vinin nga Filistia. Ndonëse nuk është e sigurt, disa studiues orvaten ta lidhin këtë fortesë kufitare të quajtur Migdol me Tell-el-Heirin, rreth 10 km në jug-jugperëndim të Pelusiumit (Tell-el-Farame).