BAAL-ZEFONI
[pronar i veriut (kufirit verior)].
Vend i përdorur si pikë referimi gjeografike për të treguar ku ndodhej vendfushimi i izraelitëve në Pihahirot, para se të kalonin Detin e Kuq. (Da 14:2; Nu 33:1-7) Pasi lanë Ramsesin, ata fushuan në fillim në Sukot, pastaj në Etam, «buzë shkretëtirës». (Da 13:20) Atëherë Jehovai u tha ‘të ktheheshin e të fushonin në Pihahirot, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit’. Atje izraelitëve iu afruan karrocat e faraonit, kalorësit dhe forcat e tij ushtarake.—Da 14:2, 9.
Vendndodhja e Baal-Zefonit nuk dihet, megjithëse në atë kohë duket se e njihnin mirë. Natyrisht, faktori më i rëndësishëm është kalimi i Detit të Kuq nga izraelitët. Shkrimet tregojnë se kaluan në një vend ku ujërat ishin mjaft të thella. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse zbret deri në skajin verior të gjirit të Suezit. Në bazë të kësaj disa studiues e lidhin Baal-Zefonin me malet në atë rajon dhe në një vepër thuhet se është «pranë Detit të Kuq në Egjipt, ka të ngjarë mali ʽAtaka». (A Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, nga Brauni, Drajvëri dhe Brigsi, 1980, f. 128) Ky mal ngrihet afër skajit të sipërm të gjirit të Suezit, pak më në jugperëndim të qytetit të sotëm të Suezit. Kurse studiues të tjerë hedhin idenë se Baal-Zefoni është Jebel-el-Galala, rreth 40 km më në jug. Ata që mbështetin këtë hipotezë mendojnë se Migdoli, që përmendet bashkë me Baal-Zefonin, ishte një kullë roje e ngritur në pozicion strategjik në Jebel (malin) ʽAtakah.—Shih DALJA; PIHAHIROTI.