MIZPAHU, MIZPEHU
[që do të thotë «kulla e rojës»].
1. Rajoni rrëzë malit Hermon që banohej nga hivitët njihej si «Mizpah». (Js 11:3) Të paktën një pjesë e kësaj zone, në mos e gjitha, mund të jetë quajtur edhe ‘lugina e Mizpehut’. (Js 11:8) ‘Mizpahu’ ndoshta ishte rajoni rreth Baniasit (Cezaresë së Filipit) në jug të malit Hermon ose rrafshina në lindje të këtij mali, përgjatë Vadi-et-Teimit.
2. Qytet i Judës në Shefelah. (Js 15:33, 38) Megjithatë, vendndodhja nuk dihet me siguri. Është sugjeruar se ndodhej në Kirbet-Safijeh, rreth 9 km në jug të Azekahut të lashtë.
3. Qytet në territorin e Beniaminit. (Js 18:26, 28) Edhe pse disa mendojnë se mund të jetë Nebi-Samvili (rr. 8 km në veriperëndim të Jerusalemit), shumica janë të mendimit se vendndodhja e lashtë është Tell-en-Nasbehu (rr. 12 km në veri të Jerusalemit). Interpretimi i disa gjetjeve arkeologjike duket se mbështet Tell-en-Nasbehun. Për shembull, janë gjetur doreza shtambash në të cilat, sipas disa studiuesve, gjenden tri germa hebraike që përkojnë me germat m-s-p, ndoshta një formë e shkurtër e emrit Mizpah.
Mizpahu ishte vendi ku të gjithë luftëtarët e Izraelit u mblodhën dhe vendosën të merrnin masa kundër atyre që kishin gisht në krimin seksual të kryer në Gibeah të Beniaminit. Kur beniaminitët nuk pranuan të dorëzonin fajtorët e atij qyteti, shpërtheu një luftë e përgjithshme. Në fund, fisi i Beniaminit thuajse u shfaros; arritën të shpëtonin vetëm 600 burra. (Gjy 20:1-48) Para kësaj, në Mizpah, izraelitët ishin betuar se nuk do t’ua jepnin vajzat e tyre për gra beniaminitëve. (Gjy 21:1) Prandaj, pas betejës duhej të merrnin masa që të mos shuhej fisi i Beniaminit. Një masë ishte t’u jepnin beniaminitëve 400 virgjëresha nga Jabesh-Galaadi. Pjesa tjetër e popullsisë së atij qyteti ishte shfarosur, sepse asnjë banor nuk kishte shkuar në Mizpah për të mbështetur luftën kundër Beniaminit.—Gjy 21:5-12.
Më vonë profeti Samuel mblodhi gjithë Izraelin dhe u lut për ta. Në atë rast, izraelitët agjëruan dhe rrëfyen mëkatet. Kur dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Mizpah, filistinët përfituan nga rasti që t’i sulmonin. Por Jehovai i hutoi armiqtë dhe izraelitët i mundën. Për të kujtuar atë fitore që u dha Perëndia, Samueli ngriti një gur mes Mizpahut e Jeshanahut dhe e quajti Ebenezer (që do të thotë «guri i ndihmës»). Paskëtaj, Samueli vazhdoi të gjykonte Izraelin dhe për këtë, i binte qark vit për vit Bethelit, Gilgalit dhe Mizpahut. (1Sa 7:5-16) Më vonë, në vitin 1117 p.e.s., kur populli ishte mbledhur përsëri në Mizpah, Samueli u paraqiti Saulin si mbretin e parë të Izraelit.—1Sa 10:17-25.
Në shekullin e 10-të p.e.s., Asa, mbreti i Judës, fortifikoi Mizpahun me materialet e Ramahut, qytet që Baasha, mbreti i Izraelit, u detyrua ta braktiste. (1Mb 15:20-22; 2Kr 16:4-6) Rreth tre shekuj më vonë, në vitin 607 p.e.s., Nabukodonosori, mbreti fitimtar babilonas, caktoi Gedaliahun guvernator të judenjve që kishin mbetur në Judë. Ai e kreu detyrën e tij nga Mizpahu. Aty u vendos me banim edhe profeti Jeremia. Gjithashtu, në Mizpah erdhën krerë të mbijetuar të ushtrisë dhe judenj të tjerë që ishin shpërndarë anembanë vendit. Edhe pse e kishin paralajmëruar, guvernatori Gedaliah nuk tregoi kujdes dhe e vranë në Mizpah. Të njëjtin fund patën edhe kaldeasit e judenjtë që ishin me të. Pas kësaj u vranë 70 burra të tjerë që shkuan atje. Vrasësit, të udhëhequr nga Ismaeli, biri i Netaniahut, morën rob pjesën tjetër të popullit. Johanani, biri i Kareahut, i arriti dhe Ismaeli ia mbathi me tetë burra, por robërit u çliruan e më vonë u çuan në Egjipt.—2Mb 25:23-26; Jr 40:5–41:18.
Pas mërgimit në Babiloni, burra të Mizpahut dhe princat Shalun e Ezer morën pjesë në meremetimin e murit të Jerusalemit.—Ne 3:7, 15, 19.
4. Qytet i Galaadit në lindje të Jordanit (Gjy 10:17; 11:11, 29); ndoshta Mizpahu i përmendur te Hozea 5:1. Atje kishte shtëpinë Jefteu. (Gjy 11:34) Disa mendojnë se mund të jetë Kirbet-Jalʽadi ose një vend afër tij, rreth 23 km në veriperëndim të Rabahut (Amanit). Megjithatë, vendndodhja e saktë nuk dihet.
5. Qytet i Moabit ku Davidi çoi të banonin prindërit në kohën që mbreti Saul e kishte nxjerrë jashtë ligjit. (1Sa 22:3) Vendndodhja e saktë e Mizpehut nuk mund të përcaktohet. Sipas disa studiuesve, mund të jetë Kiri i Moabit. (Is 15:1) Kurse të tjerë sugjerojnë si vendndodhje Ruzm-el-Mesrifen (që ndodhet në perëndim-jugperëndim të Madabës [Medebës së lashtë]).