NETHINIMËT
[të dhuruar].
Skllevër ose shërbëtorë joizraelitë në tempull. (1Kr 9:2; Ezd 8:17) Në vitin 537 p.e.s., përfaqësues të 35 familjeve nethinime u kthyen me Zorobabelin nga mërgimi në Babiloni. (Ezd 2:1, 2, 43-54, 58; Ne 7:46-56, 60; bijtë e Akubit, të Hagabit dhe të Asnahut, që përmend Ezdra, Nehemia nuk i përmend, mbase sepse janë përfshirë në emra të tjerë familjesh.) Gjithashtu, në vitin 468 p.e.s., disa nethinimë shkuan me Ezdrën nga Babilonia në Jerusalem. (Ezd 7:1-7) Më pas, disa morën pjesë në meremetimin e mureve të Jerusalemit. (Ne 3:26) Madje u bashkuan me izraelitët në një besëlidhje për të mos lidhur martesa me të huajt.—Ne 10:28-30.
Ka mundësi që shumë nethinimë të kenë qenë pasardhës të gibeonitëve, të cilët Josiu i vuri «të bënin dru e të nxirrnin ujë . . . për asamblenë dhe për altarin e Jehovait». (Js 9:23, 27) Të tjerë mund të kenë qenë pasardhës të robërve të zënë nga mbreti David dhe princat e tij. (Ezd 8:20; krahaso Ps 68:18.) Nethinimët që i përkitnin familjes së meunimëve mund të kenë qenë pasardhës të robërve të kapur nga Uziahu, mbreti i Judës. (2Kr 26:7; Ezd 2:50; Ne 7:52) Një tjetër grup, «bijtë e Nefusimit» (Nefushesimit), mund të kenë qenë pasardhës të Ismaelit nga Nafishi.—Zn 25:13-15; Ezd 2:50; Ne 7:52.
Pas kthimit nga mërgimi, nethinimët banuan në Ofel, që me sa duket gjendej afër tempullit, dhe në qytete të tjera. (Ezd 2:70; Ne 3:26, 31; 7:73; 11:3, 21) Meqenëse shërbenin në tempull, mbreti pers Artakserksi i përjashtoi nga çdo taksë, haraç ose taksë kalimi.—Ezd 7:24.