OTNIELI
I pari gjykatës i Izraelit i përmendur me emër pas Josiut. Otnieli ishte «biri i Kenazit, që ishte vëllai më i vogël i Kalebit». (Gjy 1:13; 3:9; Js 15:17) Ndërtimi gramatikor i kësaj fraze në hebraisht lë të kuptohet se vëllai më i vogël i Kalebit mund të ishte ose Otnieli, ose Kenazi, por që vargu të jetë në përputhje me vargjet e tjera, Otnieli duhet konsideruar si nipi i Kalebit dhe djali i Kenazit, vëllait të Kalebit. Kështu, në disa përkthime lexohet: «Otnieli, biri i vëllait më të vogël të Kalebit, Kenazit.» (AT, Mo) Veç kësaj, Kalebi ishte ‘biri i Jefunehut’, pra, nuk mund të ishte biri i Kenazit, siç ishte Otnieli.—Nu 32:12; 1Kr 4:15.
Otnieli u martua me Aksën, të bijën e Kalebit, pasi shtiu në dorë bastionin kananit të Debirit. I ati i Aksës, Kalebi, ia kishte premtuar të bijën atij që do të pushtonte atë qytet. (Js 15:16-19; Gjy 1:11-15) Otnieli pati një djalë të cilit i vuri emrin Hatat. Gjithashtu u bë kreu i një familjeje jetëgjatë në fisin e Judës. Vite më vonë, gjatë mbretërimit të Davidit, nga kjo familje u zgjodh një pasardhës për të drejtuar një grup shërbimi të përbërë nga 24.000 burra.—1Kr 4:13; 27:1, 15.
Herën e parë që izraelitët ranë nën thundrën e mbretërve të huaj për shkak të mosbindjes, shtypja zgjati tetë vjet. Kur ata «nisën t’i thërritnin Jehovait për ndihmë», Ai u dha Otnielin për t’i çliruar. Meqenëse kishte frymën e Jehovait, Otnieli e mundi Kushan-Rishathaimin, «mbretin e Sirisë». Pas kësaj, u vu në krye të gjithë kombit dhe jepte vendime gjyqësore mes vëllezërve të tij.—Gjy 3:8-11.