PAFOJA
Qytet në bregun perëndimor të ishullit të Qipros. Pasi përshkoi ishullin me Barnabën dhe Gjon Markun, Pavli takoi në Pafo magjistarin Bar-Jezu (Elimin), i cili iu kundërvu ndërsa po i predikonin prokonsullit Sergj Pal. Prandaj, Pavli e verboi përkohësisht me anë të një mrekullie. Kur pa se ç’ndodhi, Sergj Pali u bë i krishterë.—Ve 13:6-13.
Dy qytete në Qipro quheshin Pafo, «Pafoja i Vjetër» dhe «Pafoja i Ri». Ky i fundit, qyteti i përmendur në tregimin e Veprave, ishte kryeqyteti i provincës senatoriale të Qipros kur Pavli erdhi këtu gjatë udhëtimit të parë misionar. Këtë qytet e lidhin me rrënojat që ndodhen pranë qytetit-port të lashtë të Pafos, afro 15 km në veriperëndim të «Pafos së Vjetër» (Kouklisë). Porti natyror në Pafon e Ri, i cili shërbeu si bazë detare gjatë epokës greke dhe romake, ishte pa dyshim vendi nga u nisën Pavli dhe shokët e tij kur lundruan në veri-veriperëndim drejt Pergës, Azi e Vogël. Këtu ka ende mole të portit të lashtë, rrënoja të disa ndërtesave publike e private dhe të njërit prej mureve të qytetit.
Pa dyshim, Barnaba dhe Marku erdhën përsëri në Pafo rreth vitit 49 të e.s.—Ve 15:36-39.