SERGJ PALI
[nga lat., që do të thotë «i vogël»].
Prokonsulli i Qipros kur Pavli shkoi atje gjatë udhëtimit të parë misionar, rreth vitit 47 të e.s. Luka me të drejtë e quan prokonsull, pasi Qiproja ishte nën varësinë e Senatit të Romës dhe jo të perandorit. (Ve 13:7, 12) Më parë, Qiproja kishte qenë provincë perandorake, por në vitin 22 p.e.s., Augusti e kishte vënë nën kontrollin e senatit.—Shih PROKONSULL.
Në Soli, në bregun verior të ishullit të Qipros, është gjetur një mbishkrim ku lexohen fjalët «në periudhën e prokonsullit Pal». Në botën romake, Luc Sergj Pali ishte ai që kujdesej për lumin Tiber gjatë mbretërimit të Klaud Cezarit. Megjithatë, nuk mund të thuhet me siguri se këta të dy ishin i njëjti Sergj Pal që përmendet në Bibël.—The Annual of the British School at Athens, Londër, 1947, f. 201-206.
Sergj Pali banonte në Pafo, në bregun perëndimor të ishullit. Ai ishte «burrë i zgjuar» dhe, ngaqë donte me ngulm të dëgjonte fjalën e Perëndisë, thirri Barnabën e Pavlin. Ndërsa këta flisnin me të, Elimi (Bar-Jezui), magjistar jude, «iu kundërvu atyre e orvatej ta mbante prokonsullin larg besimit». Mirëpo Pavli, i mbushur me frymë të shenjtë, i tha magjistarit që i kundërvihej lajmit të mirë se do të verbohej përkohësisht. Ashtu ndodhi. Kur pa këtë vepër të fuqishme të frymës së Perëndisë, prokonsulli u bë besimtar, «pasi u mahnit nga mësimi i Jehovait».—Ve 13:6-12.