PEREZITËT
Një nga fiset që banonin në Kanaan para se vendi të pushtohej nga izraelitët. (Zn 13:3-7; 34:30; Da 3:8, 17) Ata nuk përfshihen në listën e 70 familjeve që erdhën pas Përmbytjes, ku renditen «familjet e kananitit». (Zn 10:15-18) Nuk dihet nga e kishin prejardhjen.
Perezitët ishin një nga fiset vendin e të cilëve Perëndia ia premtoi farës së Abrahamit. (Zn 15:18-21; Ne 9:7, 8) Në kohën e pushtimit të Tokës së Premtuar nga izraelitët, perezitët jetonin në rajonin malor të Kanaanit. (Js 11:3) Kur u vendos në territorin që iu caktua, fisi i Judës i mundi perezitët dhe kananitët në Bezek, një vend që me sa duket ndodhej në perëndim të Jerusalemit. (Gjy 1:4, 5; Js 24:11) Pasi izraelitët ndanë vendin e Kanaanit, në territorin e Efraimit dhe të Manaseut mbetën disa perezitë.—Js 17:15-18.
Perezitët ishin një nga shtatë kombet e mëdha dhe të fuqishme që Jehovai e urdhëroi herë pas here Izraelin t’i shfaroste pasi të hynte në Tokën e Premtuar. Nuk duhej të bënte asnjë besëlidhje ose krushqi me ta, as nuk duhej t’i vinte keq për ta. (Da 23:23, 24; 33:2; 34:11-13; Lp 7:1-3; Js 3:10) Mirëpo izraelitët nuk i shfarosën dhe, siç ishte parathënë, perezitët u bënë një lak për Izraelin.—Lp 7:4; 20:17, 18; Gjy 3:5, 6.
Në kohën e Solomonit, disa perezitë që kishin mbetur në vend rekrutoheshin për punë të detyruar. (1Mb 9:20, 21; 2Kr 8:7, 8) Ezdra mori vesh se judenjtë e kthyer nga mërgimi në Babiloni kishin lidhur krushqi me ta. Megjithatë, sipas këshillës së tij, ata i larguan gratë e huaja. (Ezd 9:1, 2; 10:11, 12, 44) Pas kësaj, perezitët nuk përmenden më në historinë biblike.